Liria e medias në rënie: Narrativat që përcollën raportin e RSF-së

Raporti i Reporterëve pa Kufij për vitin 2025 riktheu në qendër të vëmendjes çështjen e lirisë së shtypit dhe trajtimin e gazetarëve nga pushteti dhe grupet e interesit. Rënia drastike e Kosovës në Indeksin Botëror të Lirisë së Medias u shoqërua me reagime polarizuese, që nga kritika drejtuar qeverisë për presion ndaj mediave deri te përpjekjet e eksponentëve të pushtetit për të diskredituar raportin dhe hartuesit e tij, si të njëanshëm. Pas sulmeve dhe akuzave dhe ndaj drejtuesve të organizatës që publikoi indeksin reaguan organizata të tjera ndërkombëtare, duke thënë se deklarimet e zyrtarë të partisë në pushtet e konfirmojnë mjedisin e rrezikshëm me të cilin përballen gazetarët dhe aktivistët në Kosovë, shkruan Sbunker.

Në raportin e RSF-së për vitin 2025, Kosova u rendit në vendin e 99-të nga 180 vende të përfshira në indeks. Ajo renditet më së keqi krahasuar me shtetet e Ballkanit Perëndimor, duke zbritur për 19 vende. Serbia renditet e 96-ta, Bosnjë e Hercegovina e 86-ta, Shqipëria e 80-ta, Maqedonia e Veriut e 42-ta, dhe Mali i Zi në vendin e 37-të.

Ky është viti i dytë me radhë që Kosova shënon rënie të ndjeshme në indeks. Në vitin 2024 kishte rënë nga pozita e 56-të në atë të 75-të.

Gazetarët vëzhgohen dhe etiketohen si bashkëpunëtorë të “armikut” 

Në raport thuhet se liria e medias kërcënohet nga rregullimi i politizuar i trupave të pavarur, mungesa e transparencës si dhe rreziqet serioze për sigurinë e gazetarëve.

Edhe pse gazetarët gëzojnë besimin e shoqërisë, mediat e pavarura dhe gazetarët hulumtues shpesh janë cak i fyerjeve dhe lajmeve të rrejshme në mediat sociale. Ata akuzohen padrejtësisht për ‘bashkëpunim me armikun’, retorikë e përdorur nga grupet politike dhe fetare”, shkruan në raport.

Burimi: RSF
Burimi: RSF

Edhe pse asnjë gazetar nuk është vrarë që nga fundi i luftës së Kosovës (1998-2005), sipas raportit, vrasjet dhe zhdukjet që ndodhën para dhe gjatë luftës kanë mbetur të pandëshkuara. Tutje konstatohet se vitet e fundit, “shumë gazetarë u janë nënshtruar kërcënimeve dhe sulmeve fizike nga rrjetet kriminale edhe për shkak të tensionit politik midis Prishtinës dhe Beogradit”.

Disa gazetarë janë bërë gjithashtu shënjestër e vëzhgimit. Edhe pse sulmet hetohen nga policia dhe zyra e prokurorit, ato rrallë kanë rezultuar në ndjekje penale”, shkruan aty.

Targetimi i disa mediave 

Raporti përmend edhe ligjin “kundërthënës” që cenon pavarësinë e Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), i cili së fundi u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese.

Theksohet po ashtu se para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2025, disa media private u targetuan për t’u bojkotuar nga qeveria, “e cila gjithashtu e kërcënoi pavarësinë e transmetuesit publik, RTK”.

Në këtë rënie ka kontribuuar edhe ambienti medial në zonat e populluara me shumicë serbe. Mediat në gjuhën serbe, të cilat janë nën presion nga forcat politike serbe, siç thuhet në raport, janë ankuar për diskriminim në qasje në informacionin publik, “veçanërisht në gjuhën e tyre, e cila është ajo e pakicës kushtetuese”.

Tek përmenden të hyrat e mediave që kryesisht vijnë nga reklamat në sektorin privat dhe ndonjëherë partitë politike e komunat, raporti thekson se “nëpërmjet pronarëve të tyre, redaksitë e mediave private janë të ekspozuara ndaj ndërhyrjeve nga grupet e fuqishme politike dhe të biznesit”.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e ka cilësuar këtë rënie si një sinjal alarmi, duke iu bërë thirrje që institucionet publike të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për garantimin e sigurisë së gazetarëve dhe pavarësisë së mediave. AGK shprehu shqetësim të veçantë për rritjen e rasteve të kërcënimeve ndaj gazetarëve dhe cilësimet ndaj tyre si “bashkëpunëtorë të armikut”.

AGK-ja është thellësisht e shqetësuar me këtë renditje, më e ulta për një dekadë, që prej vitit 2015. Megjithatë, e sheh si reflektim të një politike të vazhdueshme aktive armiqësore të dy viteve të fundit të udhëhequr nga Qeveria e partisë politike, Vetëvendosje”, shkruan në reagimin AGK-së.

Juristja e të drejtës së medias, Flutura Kusari tek listoi arsyet e kësaj rënie dramatike përmendi “sulmet politike ndaj gazetarëve, specifikisht akuza e pabazë ndaj gazetarëve se kinse bashkëpunojnë me armikun; Radio Televizioni i Kosovës; Ligji për Komisionin e Pavarur për Media; Moszbatimi i Ligjit për Qasje në Dokumente Publike; Vëzhgimi i gazetarëve”.

Ky regres në Indeks është pasqyrë e një realiteti gjithnjë e më sfidues për ambientin medial dhe thellon bindjen se liria e medias në Kosovë po zbehet për shkak të presionit politik, mungesës së transparencës dhe kulturës së ndëshkimit.

Fushata linçuese 

Ditën kur u publikua raporti, Kryeministri Albin Kurti refuzoi të përgjigjet për rënien drastike, derisa truproja i tij ia largoi me forcë mikrofonat gazetarit që tentoi t’i shtrojë pyetje Kurtit.

Eksponentë tjerë të partisë në pushtet e kontestuan raportin duke thënë se ata që reaguan “të çuditur” me raportin janë të njëjtit që kanë dhënë përgjigje para përpilimit të dokumentit. Shefi i Kabinetit të kryeministrit në detyrë Albin Kurti, Luan Dalipi, ka kritikuar organizatën “Reporterët pa Kufij”. Sipas tij, “një pjesë e konsiderueshme e individëve që janë intervistuar apo konsultuar për këtë raport janë përfaqësues të organizatave shumë të vogla, që janë mbështetur nga fondet ndërkombëtare”. 

Një fushatë linçuese nisi edhe ndaj Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Flutura Kusarit.

AGK-ja shprehu shqetësim për fushatën denigruese dhe sulmet e “koordinuara” ndaj organizatës, dhe kryetarit të Bordit, Xhemajl Rexha.

Në vend të reflektimit të domosdoshëm pas rënies dramatike të Kosovës për 24 vende në Indeksin Global të Lirisë së Shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij (RSF), duke e renditur vendin tonë më keq se të gjitha vendet e rajonit dhe krahas shteteve me histori të rënduar të censurës dhe dhunës ndaj gazetarëve, vërehet tendencë e papranueshme e deputetëve të LVV-së për të fajësuar AGK-në dhe udhëheqësin e saj për këtë realitet”, thuhet në reagim.

Aty përmendet deputetja e VV-së Arbëresha Hyseni Kryeziu që ka targetuar “në mënyrë të papranueshme personale Rexhën”, kurse deputetë të tjerë si Valon Ramadani dhe Arjeta Fejza kanë targetuar organizatën.

Rrjeti “SafeJournalists” u bëri thirrje përfaqësuesve të Vetëvendosjes që të ndalojnë menjëherë sulmet ndaj gazetarëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile si dhe të trajtojnë me seriozitet situatën gjithnjë e më të përkeqësuar të lirisë së medias në Kosovë.

Fushatën e eksponentëve të partisë në pushtet, që ia përmendën edhe origjinën e udhëheqësit të organizatës, Reporterët pa Kufij, e dënoi Qendra Evropiane për Shtyp dhe Media (ECPMF).

“Jemi thellësisht të shqetësuar për veprimet që anëtarët e partisë në pushtet në Kosovë, Vetëvendosje, janë të gatshëm të shkojnë — së fundmi pretendimet e rreme të deputetit Dimal Basha në lidhje me origjinën e Pavol Szalai nga Reporterët pa Kufij (RSF) — pas renditjes së Kosovës në vendin e 99-të në Indeksin e Lirisë së Shtypit të RSF-së. ECPMF, RSF dhe shumë organizata të tjera kanë dokumentuar plotësisht përkeqësimin e shpejtë të lirisë së medias në Kosovë”, thuhet në reagimin e ECPMF-së.

Reagime të shumta pati edhe nga opozita që e cilësuan raportin pasqyrë reale dhe kritikuan qeverinë Kurti se përmes frikësimeve po tenton t’i hesht zërat kritikë.

Ndërkaq Ambasada e Gjermanisë përmes një postimi shkroi se raporti duhet të lexohet si një libër detyrash për qeverinë e re duke përshkruar qartë hapat e nevojshëm për të siguruar shtyp të lirë.

Rënia e Kosovës në Indeksin e Lirisë së Medias është një zhvillim shqetësues veçmas për faktin se deri vonë Kosova konsiderohej kampion rajonal për lirinë e shprehjes.

Për vite me radhë Kosova kishte qëndruar para vendeve fqinje si Serbia, Maqedonia e Veriut apo Shqipëria, duke shërbyer si model i progresit demokratik në Ballkan.

Rënia në pozitën e 99-të tregon jo vetëm përkeqësim të sigurisë për gazetarët por edhe rritje të ndikimit politik dhe nga grupe të interesit e biznesit në media, polarizim të skajshëm si dhe mungesë e mbështetjes për gazetarinë e pavarur dhe profesionale.