Ligji i kazinove përplas OJQ-të me Qeverinë: Mos na fshini, deputetët mos t’i mbështesin ndryshimet
Organizatat qytetare u bëjnë thirrje deputetëve që të mos i mbështesin ndryshimet e propozuara të Ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese, me të cilat nga zgjidhja ligjore fshihen organizatat qytetare, organizatat të personave me aftësi të kufizuara dhe Kryqi i Kuq si organizata që mund të përfitojnë mjete për punë me kategoritë e cenueshme, raporton Portalb.mk.
Përmes një reagimi, organizatat thonë se kjo nuk është vetëm një ndryshim teknik, por precedent serioz që mund të ketë pasoja afatgjata për shoqërinë civile, mbrojtjen e kategorive të cenueshme dhe demokracinë në Maqedoninë e Veriut.
“Për dekada me radhë, organizatat qytetare kanë ofruar mbështetje të drejtpërdrejtë për personat me aftësi të kufizuara, viktimat e dhunës në familje dhe asaj me bazë gjinore, të moshuarit dhe personat e pafuqishëm, fëmijët, të rinjtë, gratë, romët dhe grupe të tjera në pozitë të cenueshme. Ato punojnë në terren, në komunitete, në qendra këshillimore, qendra ditore, strehimore dhe shërbime të tjera ku qytetarët kanë më së shumti nevojë për mbështetje”, thuhet në reagim.
Ata theksojnë se me ndryshimet e propozuara hapet rreziku që mjetet e destinuara për kategoritë e cenueshme të shpërndahen pa kritere të qarta, transparente dhe të përgjegjshme, pa garanci se ato do të arrijnë te organizatat që kanë përvojë, ekspertizë, shërbime të licencuara dhe punë të drejtpërdrejtë me qytetarët.
“Nëse ekzistojnë mangësi në sistemin aktual të shpërndarjes së mjeteve, zgjidhja nuk është fshirja e organizatave qytetare nga ligji. Zgjidhja është një sistem më i mirë, më transparent dhe më i përgjegjshëm: thirrje publike, kritere të qarta, vlerësim i pavarur, monitorim i rregullt dhe publikim i rezultateve të programeve të financuara. Prandaj, u bëjmë thirrje deputetëve të kërkojnë një arsyetim publik dhe të qartë nga propozuesit e ligjit: cila është arsyeja që organizatat qytetare, organizatat kombëtare të personave me aftësi të kufizuara dhe Kryqi i Kuq të fshihen nga zgjidhja ligjore”, thonë oranizatat qytetare.
Ata theksojnë se fshirja e sektorit civil nga ligjet është një sinjal i rrezikshëm, pasi ngre pyetjen nëse në Maqedoninë e Veriut po shfaqen praktika që ngushtojnë hapësirën për veprim qytetar dhe e largojnë vendin nga standardet demokratike dhe rruga evropiane.
“Shtetet demokratike nuk e përjashtojnë shoqërinë civile nga sistemi. Përkundrazi, ato e njohin atë si partner, korrigjues dhe ofrues shërbimesh për qytetarët. Rruga evropiane e Maqedonisë së Veriut nënkupton transparencë, debat publik, pjesëmarrje të qytetarëve në krijimin e politikave dhe mbrojtje të veprimit të pavarur qytetar. Deputetët kanë përgjegjësi jo vetëm të votojnë për tekste ligjore, por edhe të mbrojnë demokracinë, interesin publik dhe të drejtat e qytetarëve që varen më së shumti nga mbështetja”, thuhet në reagim.
Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi, Rrjeti Kombëtar Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje, Platforma për Barazi Gjinore dhe Platforma e Maqedonisë Kundër Varfërisë kërkojnë nga deputetët:
- Të mos i mbështesin ndryshimet e propozuara në këtë formë.
- Të kërkojnë tërheqjen ose ndryshimin e tekstit të propozuar, me qëllim që organizatat qytetare, organizatat kombëtare të personave me aftësi të kufizuara dhe Kryqi i Kuq të mbeten të njohura qartë në ligj si organizata që mund të marrin dhe zbatojnë mjete të destinuara për kategoritë e cenueshme.
- Të organizojnë debat publik dhe konsultime me organizatat qytetare, rrjetet e tyre, organizatat kombëtare të personave me aftësi të kufizuara, organizatat që punojnë me viktimat e dhunës, Kryqin e Kuq dhe aktorët e tjerë relevantë.
- Të angazhohen për një mekanizëm transparent dhe të përgjegjshëm për shpërndarjen e mjeteve, të bazuar në thirrje publike, kritere të qarta, ekspertizë të dëshmuar, cilësi të shërbimeve dhe nevoja reale të qytetarëve.
“Kjo çështje nuk duhet të shihet si çështje partiake. Kjo është çështje e demokracisë, sundimit të ligjit, transparencës, vlerave evropiane dhe mbrojtjes së qytetarëve më të cenueshëm. I bëjmë thirrje deputetëve të qëndrojnë në anën e interesit publik. I bëjmë thirrje deputetëve të mbrojnë rolin e shoqërisë civile. I bëjmë thirrje deputetëve të mos lejojnë që organizatat qytetare të fshihen nga ligjet. I bëjmë thirrje deputetëve të mbrojnë demokracinë në Maqedoninë e Veriut”, thuhet mes tjerash në reagim.
Në ndërkohë edhe dje, në mbledhjen e Këshillit për Bashkëpunim mes Qeverisë dhe Shoqërisë Civile, u mbajt qëndrimi se organizatat qytetare janë përjashtuar nga procesi i konsultimeve nga ana e Ministrisë së Financave (projektligji nuk është publikuar as në ENER, ndërsa për procesin u informuam nga Kuvendi).
“Për këtë do të dërgohet një shkresë zyrtare, ndërsa më pas Këshilli do të reagojë para Kuvendit duke kërkuar ndërhyrje përmes amendamenteve”, thonë nga organizatat e shoqërisë civile.
Nga aty ngrenë alarmin se projektligji nuk është publikuar në ENER për konsultime publike dhe as nuk i është dërguar Këshillit për Bashkëpunim mes Qeverisë dhe Shoqërisë Civile, ndonëse disa nga dispozitat e tij prekin drejtpërdrejt organizatat qytetare.
Kujtojmë se ky propozim-ligj u zvarrit vazhdimisht, fillimisht pasi më 7 gusht 2025 u dorëzua në Kuvend pas miratimit nga Qeveria 16 korrik 2025, gati se një vit më vonë, në prill 2026 u tërhoq për precizim, ndërsa më pas u miratua përsëri më 12 maj nga Qeveria. Ndërsa, Kuvendi e kaloi leximin e parë më 11 qershor.