Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë thërret protestë për 1 Majin: Luftojmë për paga!

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) ka bërë thirrje për protestë të re më 1 Maj, Ditën Ndërkombëtare të Punës, e cila do të nisë në orën 11:00 nga Shtëpia e Punëtorëve në Shkup, këtë herë nën moton “Për paga luftojmë, nuk lutemi”, transmeton Portalb.mk.

“Lufta e punëtorëve nuk është vetëm një protestë, një grevë apo një bllokadë, është përpjekje e vazhdueshme e punëtorëve dhe sindikatave për të ruajtur dhe përmirësuar të drejtat e tyre. 1 Maji është dita kur protestat dhe demonstratat janë detyrim ndaj së kaluarës dhe përgjegjësi për të ardhmen e lëvizjes punëtore. Që nga viti 2018, LSM organizon çdo vit protestë masive për 1 Majin”, thuhet në njoftim.

Nga LSM bëjnë thirrje për solidaritet, edhe nga punëtorët për të cilët sindikatat tashmë kanë arritur rritje pagash.

“Solidariteti nuk duhet të ketë kufij. Sot luftojmë për ata me pagat më të ulëta, nesër për të gjithë ne. Prandaj, më 1 Maj të jemi solidarë, të zëshëm, të bashkuar dhe të vendosur! Ftojmë të gjithë të dalin në protestë, të qëndrojnë krah për krah me kolegët dhe të tregojnë se zëri i punëtorëve nuk mund të injorohet. Punëtorët në Maqedoni meritojnë paga më të larta! Maqedonia për paga më të larta! Për paga luftojmë, nuk lutemi”, thuhet në thirrje.

Protestës i janë bashkuar rreth 20 sindikata, përfshirë sindikata nga administrata publike, ndërtimtaria, arsimi dhe shkenca, kultura, tregtia, mediat, policia, bujqësia, shëndetësia, industria, turizmi, transporti, telekomunikacioni dhe financat.