Liderët politikë uruan 22 Nëntorin, Mickoski: Maqedonia është një shtëpi e diversitetit
Me rastin e 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit Shqiptar, presidentja Gordana Siljanovska-Davkova u dërgoi urim bashkëqytetarëve shqiptarë, në të cilin, siç thotë ajo, me respekt të veçantë e uron 22 Nëntorin – festë që paraqet një simbol të fuqishëm të përpjekjeve arsimdashëse, pjekurisë kulturore dhe përvojës historike të popullit shqiptar, transmeton Portalb.mk.
“Para 117 vitesh alfabeti i unifikuar nisi udhëtimin e tij nga Kongresi i Manastirit, si kodi më i rëndësishëm komunikues i një populli, për të na kujtuar sot se gjuha dhe shkrimi janë vlera themelore që formësojnë identitetin kolektiv dhe forcojnë lidhjen shpirtërore mes brezave. Respekti ndaj gjuhës dhe shkrimit të çdo komuniteti e forcon kohezionin shoqëror dhe e bashkon shoqërinë multietnike të Maqedonisë. Gjuha shqipe është pjesë e mozaikut të pasur të ndryshimeve që janë investim për të ardhmen e atdheut tonë të përbashkët“, thuhet në urimin e presidentes.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi në urimin e tij ka thënë se, kjo ditë shënon një nga momentet më të rëndësishme të historisë së kombit shqiptar, kur u vendosën themelet e alfabetit të unifikuar, duke i dhënë gjuhës shqipe forcën e përbashkimit dhe identitetit.
“Si Kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, ku shqiptarët janë popull shtetformues dhe ku gjuha është vlerë e garantuar kushtetuese, e cilësoj gjuhën shqipe një element të pazëvendësueshëm të kohezionit tonë shoqëror. Përkushtimi im mbetet i qartë, që gjuha shqipe të trajtohet me dinjitet, barazi dhe respekt në çdo nivel institucional. Për mua personalisht, kjo ditë përfaqëson krenari, ndërsa alfabeti një trashëgimi që mishëron rrënjët dhe aspiratat tona”, ka shkruar Gashi.
Ndërkohë, me rastin e kësaj feste, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka mbajtur sot një seancë solemne. Në të kryeministri, Hristijan Mickoski ka mbajtur një fjalim, ku ka porositur se, Maqedonia është një shtëpi e diversitetit, i cili nuk ndan, por e pasuron historinë tonë të përbashkët kombëtare. Ai ka shtuar se, komuniteti shqiptar, me kulturën, gjuhën, traditat dhe vlerat e veta, është pjesë thelbësore e shtetit tonë.

“Sot, kur e shënojmë Ditën e Alfabetit të Guhës Shqipe, u japim mirënjohje përpjekjeve të brezave që luftuan për arsim, shkrim-lexim dhe zhvillim kulturor, por edhe të gjithë atyre që sot e vazhdojnë këtë rrugë. Atdheu ynë i përbashkët bazohet në idenë se çdo qytetar ka vend të barabartë, vlerë të barabartë dhe mundësi të barabarta. Pikërisht për këtë, Qeveria mbetet e përkushtuar ndaj politikave që ndërtojnë besim ndëretnik, krijojnë hapësirë për zhvillim dinjitoz të gjuhëve dhe kulturave dhe e forcojnë kohezionin mes të gjithë qytetarëve tanë”, deklaroi ai.
Nga koalicioni VLEN kanë uruar duke thënë se, Dita e Alfabetit është gur themeli i identitetit tonë kombëtar. Sipas tyre, më 22 nëntor 1908, në Manastir, rilindasit shqiptarë vendosën jo vetëm rregullimin e alfabetit, por drejtimin strategjik të kombit shqiptar: ecjen krah për krah me popujt evropianë, forcimin e kulturës, arsimit dhe vetëdijes sonë kombëtare, si bazë për lirinë politike dhe zhvillimin shoqëror.
“Manastiri mbetet zemra e kësaj ngjarjeje historike, simbol i unitetit, dijes dhe përparimit.
Në këtë ditë nderojmë sakrificën, urtësinë dhe vizionin e rilindasve tanë, të cilët besuan se gjuha është shtëpia e kombit, dhe se një komb i arsimuar është një komb i lirë”, kanë thënë nga VLEN.
Edhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti i ka uruar shqiptarët duke thënë se, në këtë përvjetor të Kongresit të Manastirit dhe të Ditës së Alfabetit, ta përkujtojmë veten tonë që gjuha bashkon popullin dhe që përgjegjësia jonë për gjuhën tonë është e rëndësisë më të madhe.
“Gjuha ruhet, flitet, begatohet e mbrohet me punë, si me themelimin dhe ndërtimin e çerdheve, shkollave, universiteteve, institucioneve si Inspektorati për gjuhën shqipe, agjencia për gjuhën shqipe, instituti për trashëgiminë shqiptare, miratimin dhe zbatimin e Ligjit për gjuhën shqipe dhe vënien në përdorim në Parlament, Qeveri, Presidencë, Komuna, e gjetiu, Ligji për festa i cili e bën festë shtetërore 22 nëntorin, Ligji për Çmime vjetore me të cilin nderohen çdo vit veprimtarë shqiptarë si dhe me institucionalizimin e Muzeut të Kongresit të Manastirit në Manastir”, ka shkruar Ahmeti.