Librat që nuk duhen humbur këtë verë, ja çfarë sugjerojnë bibliotekat dhe botuesit

Nën hijen e pemëve, pranë detit apo në një mëngjes të qetë vere, një libër i mirë mund të kthehet në arratisjen më të bukur. Letërsia nuk është thjesht pushim për mendjen, por një udhëtim i brendshëm që pasuron shpirtin. Për ata që duan të lexojnë diçka që mbetet gjatë edhe pasi libri mbyllet, bibliotekistë pasionantë, botues dhe libërdashës për Portalb.mk kanë përzgjedhur titujt që rekomandojnë të lexohen këtë verë. 

Drejtoresha e Bibliotekës “Max van der Stoel”, Elmedina Abullai rekomandon një përzgjedhje titujsh të njohur botërisht dhe klasikë të letërsisë botërore, të përkthyer në gjuhën shqipe dhe të përshtatshëm për lexues të të gjitha moshave. 

Këto janë rekomandimet e saj. 

Për fëmijë: “Vezë jeshile dhe sallam”, nga Dr. Seuss, një klasik i letërsisë për fëmijë, argëtues dhe edukativ, që nxit dashurinë për leximin përmes rimave dhe fantazisë. 

Nga më të lexuarit në botë: “Të vrasësh zogun përqeshës”, nga Harper Lee, një roman i fuqishëm për drejtësinë, paragjykimin dhe ndershmërinë njerëzore. “Jo gjithë dritën mund ta shohim”, nga Anthony Doerr, një histori prekëse fitues i çmimit Pulitzer. “Fillon me ne, Mbaron me ne”, nga Colleen Hoover, romane bashkëkohore që trajtojnë marrëdhëniet, traumën dhe rikuperimin emocional-shumë të pëlqyera nga lexuesit e rinj. 

Nga klasikët e letërsisë botërore:Ferma e kafshëve” dhe “1984” nga George Orwell, dy vepra alegorike që mbeten aktuale në trajtimin e pushtetit dhe lirisë. “Krenari dhe paragjykim”, nga Jane Austen , një roman i pavdekshëm për dashurinë, dinjitetin dhe normat shoqërore. “Zonja Dalloway”, nga Virginia Woolf, një vepër moderne që eksploron ndërlikimet e mendimit dhe jetës së brendshme. “Krim dhe ndëshkim”, nga Fjodor Dostojevski, një studim i thellë psikologjik mbi fajin, ndërgjegjen dhe drejtësinë. “Ana Karenina”, nga Lev Tolstoi, një ndër romanet më të mëdha të letërsisë ruse, që trajton ndërlikimet e dashurisë dhe moralit shoqëror. “Pylli norvegjez”, nga Haruki Murakami, një roman i ndjerë dhe poetik që eksploron dashurinë, humbjen dhe të rriturit në një realitet të brishtë emocional. 

Azam Dauti nga Shtëpia Botuese “Shkupi”, rekomandon këto titujt e aktorit dhe autorit të shquar Xhevat Limani: “Vetvetja”, “Teuta”, “Terradritë” dhe “Viza”, katër tituj që dëshmojnë një angazhim të thellë krijues dhe një frymë dramatike që përthith shpirtin e kohës sonë. 

Një tjetër vepër që meriton vëmendje sipas tij është libri i Besnik Mustafajt “Midis krimeve dhe mirazheve”, një pasqyrë tronditëse dhe artistikisht e ndërtuar e periudhës moniste në Shqipëri. 

Për ata që ndjekin gjurmët e historisë arbëreshe, rekomandon veprën madhore të Fatmir Toçit “Arbëreshët”, një libër që ka njohur disa ribotime dhe vazhdon të jetë një referencë e rëndësishme studimore dhe kulturore. 

Lexuesit që kërkojnë romane me tensione të brendshme dhe pasqyrime shpirtërore, sipas Dautit do të gjejnë rezonancë në “Lakimi”, të Durim Tacit, si dhe në përmbledhjen me tregime të shkurtra “Hapa shtalb”, nga Daut Dauti, që sjell me ndjeshmëri përjetime të fëmijërisë në vendlindje. 

Nga letërsia e huaj, sugjeron romanin “Jo më njeri”, të autorit japonez Osamu Dazai-një kryevepër që depërton në thellësitë e njeriut të thyer. Po ashtu, “Shkurorëzimi” nga autorja suedeze Moa Herngren, që përshkruan me humor të hidhur dhe realizëm krizat moderne familjare, dhe “Si i thyem këmbët”, nga Miro Gavran, një analizë e goditur mbi rënien e sistemit monist jugosllav dhe përplasjet ndëretnike. 

Nga klasikët botërorë, veçon romanin vizionar “Lufta me tritonët”, të Karel Çapekut, një metaforë brilante mbi ngritjen e ideologjive shtypëse dhe çmendurinë kolektive që sjellin ato. 

Gjulten Ajruli nga Biblioteka “Koço Racin”- Tetovë, për lexuesit që duan letërsi reflektuese dhe frymëzuese, rekomandoi: 

Lexojini njerëzit si një libër” nga Patrich King, Vajzat pa emër” nga Martha Hall Kelly, Gra dhe hije” nga Kristin Hannah, E dashur jetë” nga Rachel Clarke. 

Po ashtu, autorët vendorë janë gjithmonë pjesë e rekomandimeve të bibliotekës së qytetit të Tetovës.

Ajruli thotë se leximi i autorëve tanë është një mënyrë për ta njohur dhe dashur më shumë kulturën tonë.