‘Le ta dinë të gjithë’, në Shkup u mbajt ‘Parada e Krenarisë’ e komunitetit LGBT+
Nën moton “Le ta dinë të gjithë”, komuniteti LGBT sot në Shkup marshoi në “Paradën e Krenarisë’, transmeton Portalb.mk.
Sipas organizatorëve ky marsh ishte për t’iu kundërvënë heshtjes që u servohet si kusht për siguri dhe pranim të rremë, heshtjes së institucioneve dhe politikanëve që nuk e njohin nevojën për avancimin e të drejtave të tyre,.
“Në përpjekjet për ta relativizuar ekzistencën tonë, për ta patologjizuar ose për ta paraqitur si diçka të sajuar dhe të ‘importuar’, ne u themi me zë të lartë: jemi këtu, kudo rreth jush. Ne jemi pjesë e familjes suaj të ngushtë dhe të gjerë, si dhe e rrethit tuaj shoqëror. Jemi kolegët, klientët, bashkëpunëtorët, fqinjët dhe të njohurit tuaj”, thonë organizatorët
Parada e parë e Krenarisë në Shkup u organizua në vitin 2019. Prej atëherë, ky aktivitet mbahet tradicionalisht çdo vit (me përjashtim të vitit 2020 për shkak të pandemisë), në organizim të rrjetit kombëtar kundër homofobisë dhe transfobisë.