Lahuta në UNESCO, lahutari Pretash Nilaj: Instrument i kujtesës shekullore të patriotizmit dhe heroizmit shqiptar
Lahuta, një nga veglat më të vjetra dhe më përfaqësuese të trashëgimisë kulturore shqiptare, është futur zyrtarisht në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s, nën mbrojtje urgjente. Sipas UNESCO-s, lahuta luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen e kujtesës kolektive dhe vlerave shoqërore, duke lidhur brezat dhe duke e mbajtur të gjallë traditën, shkruan Portalb.mk.
Lahuta është një instrument tradicional prej druri me një tel të vetëm, me trup të zbrazët të mbuluar me lëkurë dhe qafë të gdhendur. Ajo ndërtohet dhe luhet kryesisht në veriun dhe veriperëndimin e Shqipërisë dhe shoqëron këndimin epik popullor.
Pretash Nilaj, lahutar shqiptar i njohur për interpretimin e këngëve epike tradicionale me lahutë, pjesë e trashëgimisë së vjetër kulturore shqiptare, për Portalb.mk tha se lahuta është një instrument shumë i lashtë që vjen nga thellësia e historisë shqiptare dhe mbart në vete kujtesën shekullore të popullit shqiptar.
Sipas tij, pranimi i lahutës në UNESCO është një vlerësim i madh jo vetëm për këtë instrument, por edhe për ne lahutarët, sepse nderohet kontributi i tyre në ruajtjen dhe përcjelljen e saj te brezat e rinj.
“Lahuta ka një rëndësi të madhe për faktin se është një instrument shumë i vjetër, që vjen nga lashtësia dhe sjell me vete historinë shekullore të popullit tonë patriotizmin, heroizmin dhe përpjekjen për liri e pavarësi. Pranimi i lahutës në UNESCO është një vlerësim i veçantë edhe për ne lahutarët, sepse nderohet kontributi që kemi dhënë ndër breza për ruajtjen dhe trashëgiminë e këtij instrumenti. Unë rrjedh nga një familje që e ka trashëguar lahutën, ashtu si shumë familje malësore, dhe që në moshë të vogël kam mësuar ta luaj. Për mua, lahuta ka pasur një rëndësi të veçantë, sepse përmes saj kemi ruajtur dhe promovuar ndër breza vlerat tona kulturore dhe etnografike. Sot, lahuta nuk është në nivelin që e meriton, por pas pranimit të saj në UNESCO, ne kemi edhe më shumë përgjegjësi që të punojmë për promovimin e saj dhe për transmetimin te brezi i ri, duke hapur kurse për fëmijë, jo vetëm për ta mësuar lahutën, por edhe për të ruajtur shpirtin dhe identitetin që ajo përfaqëson”, tha Nilaj.

Lahuta i është shtuar listës së trashëgimive kulturore shqiptare të mbrojtura nga UNESCO. Pas përfshirjes së “K’cimit të Tropojës” në dhjetor të vitit të kaluar, dhe njohjes së xhubletës shqiptare në vitin 2022 një veshje tradicionale me histori mbi 4 mijë vjet, trashëgimia kulturore shqiptare po fiton gjithnjë e më shumë vlerësim ndërkombëtar.
Përfshirja në UNESCO vjen si rezultat i një procesi të gjatë kërkimor, të udhëhequr nga një grup studiuesish të njohur në fushën e trashëgimisë kulturore: Vaso Tole, Shaban Sinani, Rigers Halili, Armanda Hysa dhe Susane Ogge. Në bashkëpunim me komunitetet lokale, kërkimet në terren dhe dokumentimin e detajuar, ata arritën të përgatisin një dosje të standardeve më të larta, e cila u dorëzua zyrtarisht në UNESCO në mars të vitit 2024.
Procesi u mbështet nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë në partneritet me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, AADF, në kuadër të programit për përgatitjen dhe forcimin e dosjeve të trashëgimisë jomateriale shqiptare.