Kuvendi i Kosovës nesër me dy seanca, njëra për mandatarin Glauk Konjufca
Kuvendi i Kosovës do të mbajë nesër (e mërkurë) dy seanca të thirrura nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, në përpjekjen për të çuar përpara procesin e formimit të Qeverisë së re, por edhe çështje të buxhetit e miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, raporton Koha.net.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka konfirmuar se seanca e parë në orën 11:00 do të zhvillohet për konstituimin e komisioneve të përhershme, ndërsa seanca e dytë, e cila do të mbahet në ora 14:00, është thirrur për mandatarin Glauk Konjufca.
“Agjenda së shpejti u shpërndahet të gjithë deputetëve. Të dy seancat janë thirrur me 40 nënshkrime të grupit tonë parlamentar. Por shpresojmë që në seancë, për shkak të arsyeve emergjente që prekin edhe buxhetet e komunave, të marrin pjesë të gjithë deputetët e Kuvendit dhe të tregojnë vullnet për t’i tejkaluar ngarkesat financiare para se të kalojmë në një votim tjetër”, ka thënë Kusari-Lila për KOHËN.
E pyetur nëse LVV-ja ka siguruar vota shtesë, ajo theksoi se kjo pyetje duhet t’i adresohet zyrës së partisë apo vetë mandatarit.
“Është proces që është zhvilluar prej tyre”, ka thënë ajo.
Glauk Konjufca është mandatuar më 4 nëntor nga presidentja Vjosa Osmani për formimin e Qeverisë, pasi më 26 tetor, kandidati i mëparshëm, Albin Kurti, dështoi të sigurojë votat e nevojshme.
Nëse Konjufca nuk arrin të marrë mbështetjen e nevojshme (61 vota) në seancën e nesërme, presidentja Vjosa Osmani duhet ta shpërndajë Kuvendin dhe të thërrasë zgjedhje të reja. Zgjedhjet e parakohshme duhet të organizohen brenda 40 ditëve pas ditë së shpalljes.
Ndërkohë, në seancën e orës 11:00, partia në pushtet synon formimin e komisioneve parlamentare që më pas të miratojë marrëveshjet ndërkombëtare, ndarjet buxhetore, buxhetin për Prishtinën, Gjilanin e Zubin-Potokun dhe financimin e Radiotelevizionit të Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën në konferencën e përbashkët për media me ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Johann Wadephul, foli për rëndësinë e zgjatjeve buxhetore.
“Natyrisht në rast se nuk ka sukses në formimin e qeverisë, është e domosdoshme që të flasim për miratimin e zgjatjeve buxhetore. Natyrisht që është temë të cilën do ta diskutoj me partitë”, tha Osmani.