Kuvendi i Kosovës është mbledhur sot për konstituimin e legjislaturës së njëmbëdhjetë

Një ditë para skadimit të afatit kushtetues, deputetët e zgjedhur do të mblidhen sot më datë 06.08.2026 nga ora 10:00, në seancën konstituive të legjislaturës së njëmbëdhjetë të Kuvendit të Kosovës, transmeton Kallxo.com.

Në rend dite janë katër pika: formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve të deputetëve, betimi i deputetëve, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe zgjedhja e nënkryetarëve.

Seanca mbahet në një kohë kur partitë parlamentare ende nuk kanë arritur një marrëveshje politike për zgjedhjen e Presidentit/es të Kosovës. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, kanë zhvilluar tri takime konsultative, por pa arritur kompromis.

E premtja e 7 gushtit, shënon afatin e fundit kushtetues për konstituimin e Kuvendit. Pas konstituimit të tij, nis automatikisht afati prej 60 ditësh për zgjedhjen e Presidentit ose Presidentes së Republikës.

Nëse Kuvendi nuk konstituohet deri më 7 gusht, procesi kushtetues hyn në fazën e zgjedhjes së presidentit, për të cilin Kushtetuta parasheh një afat 60-ditor. Në rast se edhe presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon sërish në zgjedhje.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026, Lëvizja Vetëvendosje u rendit e para me 47.13% të votave, duke siguruar 53 ulëse në Kuvend. Partia Demokratike e Kosovës fitoi 19.44% të votave dhe 22 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës mori 16.69% dhe 18 deputetë, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës siguroi 6.74% të votave dhe shtatë ulëse.

Nga 20 vendet e garantuara për komunitetet joshumicë, nëntë mandate i takojnë Listës Serbe dhe një Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë. Partia Demokratike Turke e Kosovës ka fituar dy mandate, ndërsa nga një mandat kanë siguruar Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Partia e Ashkalinjve për Integrim (PSA), Koalicioni VAKAT, Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, Partia Liberale Egjiptiane, Partia e Re Demokratike, Unioni Socialdemokrat dhe Partia e Bashkuar e Goranëve.