Kushtetuesja e bllokoi ratifikimin e marrëveshjes për emigrantët mes Shqipërisë dhe Italisë

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë njoftoi të mërkurën se e ka pezulluar përkohësisht ratifikimin e mundshëm të një marrëveshjeje për emigrantët mes Shqipërisë dhe Italisë.

Më 6 nëntor, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, e nënshkruan marrëveshjen sipas së cilës Italia do t’i dërgojë në Shqipëri emigrantët që i kap dhe i shpëton në Detin Mesdhe, duke filluar nga pranvera e vitit të ardhshëm, transmeton REL.

Kuvendi i Shqipërisë pritej ta hidhte në votim për ratifikim këtë marrëveshje në një seancë të enjten më 14 dhjetor.

Por, Gjykata Kushtetuese tha pas një mbledhjeje të mërkurën se i ka “pezulluar automatikisht procedurat e ratifikimit në Kuvend të Protokollit të bashkëpunimit, deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese”.

Ky vendim vjen pasi 30 deputetë të opozitës e dorëzuan më 6 dhjetor në Gjykatë Kushtetuese një kërkesë për shqyrtimin e kushtetuetshmërisë së marrëveshjes dhe pezullimin e procedurave te ratifikimit të saj derisa gjykata të marrë vendim përfundimtar.

Gjykata bëri me dije se shqyrtimi i kërkesës së opozitës do të nisë më 18 janar 2024.

Marrëveshja për emigrantët është kundërshtuar nga opozita në vend dhe nga dhjetëra organizata të shoqërisë civile. Ato i janë drejtuar me një letër qeverisë shqiptare, duke i kërkuar të tërhiqet nga kjo marrëveshje, pasi sipas tyre, mungon transparenca dhe ekziston rreziku për shkeljen e të drejtave të njeriut të emigrantëve.

Dy ditë pasi u nënshkrua ajo nga Rama dhe Meloni, Amnesty International tha se marrëveshja është e “jashtëligjshme dhe e pazbatueshme”.

Elisa De Pieri, hulumtuese rajonale në Amnesty International, tha se njerëzit që shpëtohen nga autoritetet italiane, përfshirë ata që kërkojnë siguri në Evropë, janë nën juridiksionin italian dhe për këtë arsye nuk mund të dërgohen në një vend tjetër para se kërkesat e tyre për azil dhe rrethanat individuale të jenë shqyrtuar.