Kush është ende në garë për kryetarin e ri të LSDM-së?

Më 30 qershor LSDM do të zgjedhë kryetarin e ri, pasi Dimitar Kovaçevski dha dorëheqje nga posti i tij pas dështimit të zgjedhjeve parlamentare, shkruan EMagazin, transmeton Portalb.mk.

Tashmë disa zyrtarë partiakë kanë shpallur kandidaturat e tyre dhe disa kanë filluar të vendosin kushte.

Bëhet fjalë për Jovan Despotovskin, drejtor aktual i Drejtorisë për Zona Zhvillimore Teknologjike Industriale (DZZhTI), Sllavjanka Petrovska, deputete dhe ministre e Mbrojtjes në largim dhe Stefan Bogoev, drejtor i Drejtorisë doganore.

Despotovski propozoi që kandidatët të nënshkruajnë deklaratë se nëse nuk zgjidhen nuk mund të mbajnë post tjetër partiak dhe Petrovska e pranoi atë propozim.

Si kandidat i mundshëm përmendet edhe deputeti dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Ndryshe, në zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare në RMV që u mbajtën me 8 maj 2024 së bashku me zgjedhjet e shtata presidenciale, LSDM fitoi vetëm 18 mandate deputetësh. Ky rezultat u vlerësua si një humbje e thellë e LSDM-së, parti e udhëhequr në dy vitet e fundit nga ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski.