Kurti e mandatoi Glauk Konjufcën për formimin e qeverisë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka propozuar për mandatar për kryeministër Glauk Konjufcën. Pas dështimit të Kurtit për ta formuar qeverinë, në mbledhjen e sotme të Këshillit të Përgjithshëm, LVV propozoi Konjucën për të parin e qeverisë, shkruan Euronews.al.

Të mërkurën më 5 nëntor skadon afati kur presidentja Vjosa Osmani do të vendosë nëse do të mandatojë ndonjë mandatar për kryeministër apo do të shpërndajë Kuvendin për t’i hapë rrugë zgjedhjeve të reja.

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e cilësoi si “shfaqje teatrale” mbledhjen e LVV-së, që i cilësoi si “mandatar pa numra, pa shumicë e pa legjitimitet demokratik”.

“Dua të besoj se presidentja e Republikës, do të respektojë vullnetin e shumicës shqiptare, para mbledhjeve propaganduese të partive me mandatarë plot por pa shumicë paralamentare”, shkroi ai në Facebook.

Osmani u takua me përfaqësuesit e partive politike më 31 tetor për të diskutuar për çështjen e mandatarit dhe të zgjedhjeve.

Pas mbledhjes, Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës argumentuan se nuk ka shumicë dhe se zgjedhjet duket të jenë opsion. Ndërkaq, Kurti nuk u prononcua për media.

Pas takimit, Osmani tha se Kurti i kishte kërkuar një takim para 5 nëntorit – kur përfundon periudha 10-ditore – për të parë nëse mund të formohet shumica.