Gashi: Ende nuk ka asnjë propozim nga Qeveria për ndryshimet në Kodin Penal

Pas pauzës së gjatë për zgjedhjet lokale, kryetari i Kuvendit Afrim Gashi thirri koordinatorët e grupeve parlamentare në takim koordinues, në të cilin nuk u fol për Kodin Penal që amniston dhe liron zyrtarët nga korrupsioni dhe abuzimi me pozicionin dhe autoritetin zyrtar, por për miratimin e një Kodi të ri Zgjedhor, transmeton Portalb.mk.

Dera është hapur për Kodin Penal, ne presim nga qeveria. Nuk duhet të përzihemi në pjesën materiale, në bazë të asaj nuk është korrekte të prejudikojmë se cila është përgjigjja. E imja është ta vendos në seancë dhe vullneti i shumicës është ai që duhet të jetë vendimtar se si kalon. Ende nuk ka asnjë propozim, varet nga Qeveria”, u përgjigj Gashi sot në pyetjen e gazetarit të Portalb.mk, i cili kur shpalli zgjedhjet lokale në gusht, tha se popozim Kodi i ri Penal sapo kishte mbërritur në Kuvend, sepse ishte informuar nga ministri i Drejtësisë Igor Filkov dhe Qeveria.

Edhe pse gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese deklaruan me vendosmëri në shkurt se nëse Parlamenti nuk e ndryshon Kodin Penal (KP) brenda 6 muajsh, gjegjësisht nuk miraton një të ri që do të ndryshojë dispozitat që e vjetërsojnë korrupsionin, ata do të ulen dhe do të votojnë për të shfuqizuar ose anuluar ato ekzistuese, por kjo prapë nuk ndodhi.

Në vend që Gjykata Kushtetuese të shkojë direkt në votim në gusht (meqenëse debati kishte përfunduar dhe procedura e kushtetutshmërisë ka filluar), thanë se do t’i shkruajë kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashit, për këtë temë dhe do të presë një përgjigje.

“Pas disa pyetjeve gazetareske në lidhje me rastet në të cilat është iniciuar procedurë për vlerësimin e Ligjit për ndryshimet dhe plotësimet në Kodin Penal, dhe për të cilat Gjykata Kushtetuese ka caktuar afat prej 6 muajsh që Parlamenti të përmbushë qëndrimet e Gjykatës të shprehura në Vendim, ju informojmë se: Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, është në komunikim me kryetarin e Parlamentit, Afrim Gashi, dhe do t’i drejtohet Parlamentit me shkrim për të marrë informacion zyrtar në lidhje me afatin e caktuar prej 6 muajsh dhe udhëzimet për përmbushjen e ligjit, të dhëna nga Gjykata Kushtetuese. Bazuar në përgjigjen nga Parlamenti, Gjykata do të ndërmarrë hapa të mëtejshëm për të vazhduar në këtë rast”, thanë në gusht nga Gjykata Kushtetuese.

Më 12 dhjetor 2024, Gjykata Kushtetuese nisi procedurat kundër një Kodi të tillë Penal, të miratuar gjatë kohës së ish-kryeministrit Dimitar Kovaçevski të LSDM-së me një kuorum votimi të siguruar nga opozita e atëhershme VMRO-DPMNE, dhe i cili amnistoi Nikolla Gruevskin dhe të gjithë të pandehurit e mbetur në rastet e PSP-së.

Por vendosi t’i japë Parlamentit një afat maksimal prej 6 muajsh për të korrigjuar dispozitat ligjore të kontestuara.

“Gjykata në këtë fazë të procedurës shprehu dyshim se akti i kontestuar është në kundërshtim me vlerat themelore të rendit kushtetues, pra se është në kundërshtim me sundimin e ligjit të rregulluar me nenin 8, paragrafi 1, alineja 3, si dhe se nuk është në përputhje me mbrojtjen e garantuar kushtetuese për barazi të të gjithë qytetarëve para Kushtetutës dhe ligjeve, të parashikuar në nenin 9, paragrafi 2 të Kushtetutës. Gjykata vlerëson se mund të vihen në pikëpyetje si aspekti material ashtu edhe ai formal. Është e padiskutueshme se Parlamenti ka autoritetin për të rregulluar marrëdhëniet shoqërore, por në këtë rast Gjykata dyshon se Ligjvënësi nuk e ka marrë parasysh realitetin kushtetues dhe ligjor dhe pasojat që do të lindin pas miratimit të këtyre ndryshimeve ligjore, të cilat synojnë të shkaktojnë pabarazi në politikën penale për të gjithë qytetarët”, i dërgoi Gjykata Kushtetuese Parlamentit një letër me udhëzime.

Gjykata Kushtetuese shprehu dyshime edhe për aspektin formal, pra procedurën e miratimit të këtij Ligji, për shkak të futjes së ndryshimeve në një procedurë në të cilën përdoret flamur evropian, megjithëse nuk ka ndonjë qëllim të justifikuar procedural për këtë.

“Sipas Aktit të Gjykatës, nëse Parlamenti nuk vepron sipas udhëzimeve për ndërhyrjet ligjore, Gjykata Kushtetuese do të kalojë në fazën tjetër të procedurave, gjegjësisht do të merret vendim përfundimtar, i cili mund të ketë karakter shfuqizues ose anulues, varësisht nga vlerësimi i ashpërsisë së shkeljes”, kërcënoi gjykata më e lartë në shkurt.

Pasojat e ndryshimeve në Kodin Penal (KP), të cilat parashikojnë dënime më të ulëta, por edhe vjetërsim më të shpejtë për veprat e keqpërdorimit të detyrës, punë nga pakujdesia dhe bashkimit kriminal, për herë të parë u panë 20 ditë pas miratimit të tyre. Në vend të vitit 2051, lënda për ish-anëtarin e Këshillit Gjyqësor, gjyqtarit nga Tetova Zoran Teofilovski skadoi po atë ditë, i cili gjykohej  për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Me ndryshimet në Kodin Penal, asnjë zyrtar nuk do të përballet me dënim më të lartë se 5 vjet burg, nëse keqpërdorë detyrën. Gjithashtu, të gjitha aktet e shpërdorimit të shërbimit të kryera para vitit 2013 iu nënshtruan vjetërsimit (më parë vjetërsimi absolut ishte 40 vjet, ndërsa tani 10).

Kjo ndikoi më shumë në rastet e ish- Prokurorisë Speciale Publike, “TNT”, “Talir”, “Talir 2”, “Thesari”, “Tarifa”, “Dizajni”, “Toplik”, “Titanik”, “Titanik 2”, “Shkallët spanjolle”, “Target-Fortesa” dhe të tjera.