Kundërspin: Secila parti, përfshirë VMRO-DPMNE-në, duhet të merret me politikë ditore
Osmani e shtrembëron të vërtetën kur këshillon VMRO-DPMNE-në të mos merret me politikë ditore dhe kjo nuk është gjë tjetër veçse spin dhe qëndrim joparimor, sepse ndër të tjera opozita merret me punën e Osmanit dhe me punën e zëvendëskryeministrit Artan Grubi. Përveç kësaj, Osmani shtrembëron të vërtetën për barazimin e tri marrëveshjeve kyçe dhe se mospranimi i njërës prej tyre do të thoshte shkelja në “vijat e kuqe”, kjo është arsyeja pse VMRO-DPMNE nuk do të kishte partner në mesin e shqiptarëve për asnjë qeveri të ardhshme, shkruan Vërtetëmatësi.
Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, i cili është edhe zyrtar i BDI-së, në një intervistë televizive në të cilën dallohen dy spine ka shprehur qëndrimin ne vijim:
Spin: VMRO DPMNE duhet të mendojë për qëndrimet e saj politike dhe të mos merret me politikë ditore. Nesër, nëse vijnë në pushtet, duhet ta dinë se emri i Maqedonisë është Maqedonia e Veriut dhe ta respektojnë atë.. Mospranimi i njërës prej 3 marrëveshjeve është shkelja në vijat e kuqe dhe kësisoj shqiptarët nuk kanë partner. VMRO DPMNE kishte marrëdhënie të mira në AA, por me retorikën e saj humbi partnerin strategjik shqiptar. Ne duam një shtet funksional multietnik.
[Burimi: TV 21/Web – B. Osmani/deklaratë; data – 22.03.2023]
Kundërspin: Shefi i diplomacisë dhe zëdhënësi i BDI-së, si dhe koordinatori i BDI-së për Kryesinë, Bujar Osmani, ka komunikuar me publikun qëndrimin e tij për VMRO-DPMNE-në, i cili spinon dy herë – për atë që partia parlamentare po bënte në opozitë, si dhe për 3 marrëveshjet që janë kyçe për RMV-në.
Fillimisht, për spinin e parë – nëse partia duhet të merret me politikë ditore apo vetëm me qëndrimet e saj politike, opinioni i përgjithshëm është se kjo është krejtësisht joparimore, por edhe shtrembërim i së vërtetës. Kjo sepse çdo parti politike krijon mënyrën e saj të veprimit sipas vendimeve të liderëve të saj të zgjedhur në zgjedhjet legjitime partiake, bazuar në statutin e partisë dhe dokumentet programore për veprimet e saj.
VMRO-DPMNE është partia më e madhe parlamentare në vend pas zgjedhjeve të fundit parlamentare të vitit 2020, parti në opozitë, sepse koalicioni në pushtet nga LSDM dhe partitë e koalicionit të saj kanë më shumë deputetë me të cilët kanë marrë mandatin për të formuar qeveri dhe për të qeverisur vendin. Partia opozitare zotëron të gjitha elementet e legjitimitetit të përmendur më parë dhe është pjesë përbërëse e jetës politike institucionale në vend, prandaj ajo ka të drejtën dhe autonominë e plotë për të vepruar në jetën politike në mënyrën që mendon se është më e përshtatshme për arritjen e qëllimeve të saj programore. Pra sipas kësaj dhe me një politikë ditore.
Qëndrimi joparimor i Osmanit me deklaratën dhe spinin në të do të kuptohej më qartë vetëm nëse do të shiheshin shembujt e kundërt – kur VMRO-DPMNE ua mëson partive tjera se çfarë duhet të bëjnë. Për shembull, edhe LSDM-ja dhe BDI-ja, e kanë bërë të njejtën. Por mesazhi se nuk duhet të merret me politikë ditore mund të kuptohet edhe si mesazh i VMRO-DPMNE-së, për shembull, të mos merret me çështjet me të cilat është marrë veçanërisht në dy javët e fundit. Kjo parti, nëse shikoni konferencat dhe njoftimet e saj për shtyp, merret me skandalin e quajtur “mbikqyrja” që shpërtheu pas nënshkrimit të marrëveshjes me Bechtel-in dhe Enkën, si dhe me rolin e Dimitar Kovaçevskit dhe Artan Grubit në këtë skandal. Mirëpo, VMRO-DPMNE po merret edhe me mënyrën se si vëllai i Grubit ka blerë objekte afariste në qendër të Shkupit dhe nëse ka apo jo ndonjë aktivitet korruptiv në faktin se brenda dy viteve kompania e vëllait të Grubit ka marrë një milion denarë nga disa institucione dhe për çfarë.
Se a është një operacion i suksesshëm i përditshëm i VMRO-DPMNE-së do ta tregojë opinioni, jo Osmani me vlerësimin dhe spinin e tij, i cili mund të jetë frymëzuar nga sulmet ndaj Grubit dhe BDI-së nga partia opozitare. Andaj, me mesazhin që partia të mos merret me politikë ditore, Osmani komunikon me opinionin në mënyrë të shtrembëruar.
Spini i dytë i Osmanit është se VMRO-DPMNE duhet të respektojë tri marrëveshjet kyçe për Maqedoninë, përndryshe nuk do të gjejë partner shqiptar për qeverinë e ardhshme. Ndonëse nuk thuhet me vendosmëri se cilat janë ato, është mjaft e qartë se bëhet fjalë për Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, Marrëveshjen e Prespës dhe Marrëveshjen e Miqësisë dhe Fqinjësisë së Mirë me Bullgarinë.
E ndërsa dy marrëveshjet e para janë vendosur në jetën politike të vendit edhe përmes Kushtetutës (si për të parën ashtu edhe për të dytën është ndryshuar Kushtetuta), nuk ka pothuajse asnjë reagim publik as nga VMRO-DPMNE për respektimin e tyre. Marrëveshja e tretë, zbatimi i së cilës është në vazhdim e sipër dhe për të cilën duhet të zbatohen edhe amendamentet kushtetuese, por në Kornizën e negociatave ndërmjet BE-së dhe Maqedonisë gjërat janë disi ndryshe.
Përkatësisht, në Marrëveshjen për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me vetë Bullgarinë, në nenin 13 (paragrafi 2 dhe 3), është përfshirë mundësia që kjo marrëveshje të ndryshohet ose të ndërpritet.
Neni 13
(1) Kjo Marrëveshje i nënshtrohet ratifikimit në përputhje me kërkesat kushtetuese të Palëve Kontraktuese. Kjo Marrëveshje hyn në fuqi në datën e shkëmbimit të instrumenteve të ratifikimit të dy Palëve Kontraktuese dhe mbetet në fuqi për një periudhë të pacaktuar kohe.
(2)Kjo Marrëveshje mund të ndryshohet me pëlqimin me shkrim ndërmjet dy Palëve Kontraktuese. Ndryshimet negociohen në rrugë diplomatike dhe hyjnë në fuqi sipas paragrafit 1 të këtij neni.
(3) Secila Palë Kontraktuese mund ta përfundojë Marrëveshjen duke i dërguar një njoftim me shkrim Palës tjetër Kontraktuese. Marrëveshja do të pushojë së qeni në fuqi një vit pas datës së marrjes së një njoftimi të tillë.
Me këtë fakt, nënshkruesit, përfaqësuesit e RMV-së dhe Republikës së Bullgarisë tashmë në vitin 2017 kanë lënë mundësinë (sipas shablloneve diplomatike për marrëveshjet dypalëshe) që kjo marrëveshje të mos interpretohet si “e vërtetë e përjetshme”, por që të mund të diskutohet në ndjenjën e përmirësimit të saj, ose përfundimin e saj të plotë.
Fakti që VMRO-DPMNE, përmes përfaqësuesve të ndryshëm të saj të lartë, deri më tani i ka ofruar publikut një mundësi të tillë disa herë (si dhe një tjetër – për të ridrejtuar negociatat për kornizën e negociatave që është shumë më pak realiste, sipas disa interpretime si nga BE ashtu edhe nga analistë), as nuk mund të jetë vijë e kuqe për shqiptarët në Maqedoni, as nuk do të thotë shprehimisht se VMRO-DPMNE nuk do të mund të gjejë një partner për të formuar një koalicion në një qeveri të ardhshme nga partitë opozitare shqiptare. Për momentin, thjesht askush nuk mund ta thotë këtë, dhe për momentin janë dy parti të mëdha opozitare dhe një e tretë e mundshme e shqiptarëve – Alternativa, BESA dhe opsionin që fraksionistët e BDI-së të formojnë një parti.
A është e zgjuar që VMRO-DPMNE ta bëjë këtë – të përpiqet të rinegociojë me Bullgarinë për Marrëveshjen e vitit 2017, të shpresojë se mund të rinegociojë me BE-në për një kornizë të re negociuese, ky është vlerësimi i partisë, e cila kur të jetë e paraqitur qartë, do të kalojë testin e vlerësimit nga qytetarët dhe votat e tyre. Por, vetë fakti që koalicioni qeverisës i LSDM-së dhe BDI-së, përfaqësuesit e të cilit kanë lënë mundësinë e rinegocimit apo braktisjes së asaj marrëveshje në nenin 13, tregon qartë se ai opsion ekziston dhe se marrëveshja nuk mund të vlerësohet në të njëjtin nivel me Marrëveshjen e Ohrit dhe Marrëveshjen e Prespës.
Për këto arsye, dhe këtë pjesë të deklaratës së Osmanit për “vijat e kuqe” që do të nënkuptonin mungesën e partnerëve shqiptarë në pushtet, e gjithë kjo mund të konsiderohet si spin.