Kumanova sonte mirëpret koncertin vokal “Harmonia”

Sonte, më 29 tetor, me fillim nga ora 19:30, në Shtëpinë e Kulturës në Kumanovë, do të mbahet një koncert unik i muzikës vokale “a capella”, që sjell një përjetim të veçantë për të gjithë dashamirët e artit dhe traditës shqiptare.  Me zëra të përkryer, që ndërthuren në harmoni të plotë, “Harmonia” do të sjellë para publikut një udhëtim përmes emocioneve, kujtimeve dhe bukurisë së muzikës shqiptare  aty ku tradita takohet me artin bashkëkohor, shkruan Portalb.mk.

Në këtë mbrëmje, oktet vokal “Harmonia” do të prezantojë një program të përzgjedhur me këngë popullore shqiptare, të cilat janë përpunuar dhe aranzhuar posaçërisht nga Shpëtim Mustafa, për t’u dhënë atyre një frymë të re moderne në formë, por thellësisht shpirtërore në ndjenjë.

Shpëtim Mustafa ideator dhe arranzhues i këtij projekti për Portalb.mk tha se se ideja për krijimin e këtij ansambli ka qenë një dëshirë e tij e hershme. Sipas tij, në Shtëpinë e Kulturës në Kumanovë, sonte pas plotë 15 vitesh do të ketë koncert të muzikës korale.

“Kjo ide ka qenë ide e imja e kamotshme: Të formoj një ansambël vokal profesional shqiptar në Maqedoni, dhe ideja ka qenë pikërisht programi të jetë me këngë popullore shqiptare sepse ka shumë pak vepra të aranzhuara në këtë stil. Përmes këtij formacioni duam të tregojmë që tani kemi mjaftueshëm këngëtar profesionist me përvojë në këndimin koral me të cilët mund të interpretojmë repertor të nivelit të lartë profesional dhe goxha virtuoz siç është ky që do ta interpretojmë sonte. Ky koncert është unik sepse në vendin tonë shuë rrallë hasim në koncerte të tilla, përndryshe në Shtëpinë e Kulturës në Kumanovë, sonte pas plotë 15 vitesh do të ketë koncert të muzikes korale. Këngët janë të përzgjedhura nga unë, nuk ka ndonje lidhje mes këngëve, thjesht janë disa perla nga muzika popullore shqiptare të cilat kam konsideruar se do të përshtaten për këtë stil dhe këtë formacion”, tha Mustafa.

Ai shtoi se motivet janë origjinale dhe se në program janë përfshirë përfshirë këngë nga të gjitha trevat shqiptare.

“Motivet janë origjinale të këngëve të pandryshuara, thjeshtë janë të arranzhuara për oktet vokal sipas rregullave të caktuara. Këngët janë të përfshira gati nga të gjitha trevat, por nuk jam fokusuar te ky detal. Dëshirojmë që përmes artit të kultivojmë vlerat artistike kombëtare duke i ngritur ato në një nivel më të lartë estetik artistik dhe profesional”, tha Mustafa.

Mustafa potencoi se muzikën vokale e sheh si formën më të fuqishme emocionale në muzikë.

“Unë personalisht muzikën vokale e shoh si formën më të fuqishme emocionale në muzikë, dhe kjo është arsyeja pse kam këmbëngulur që ky projekt të realizohet pikërisht në stilin “a cappella” (pa përcjellje instrumentale) edhe pse kjo është shumë sfiduese por kemi arritur ta pëgatisim me sukses”, tha Mustafa.

Okteti “Harmonia” përbëhet nga këngëtarë profesionistë të dëshmuar, të cilët me zërat e tyre unikë dhe interpretimin e përkushtuar do t’i japin jetë këtij projekti artistik që bashkon traditën me estetikën e re muzikore. Kjo mbrëmje është më shumë se koncert është një udhëtim përmes zërit, kujtesës dhe dashurisë për muzikën shqiptare.

Afishja e koncertit “a capella”. Foto: Shpëtim Mustafa (Facebook)
Afishja e koncertit “a capella”. Foto: Shpëtim Mustafa (Facebook)