Kumanova shndërrohet në qendër të teatrit, ‘KU-Fest’ sjell teatrot nga rajoni

Në Kumanovë ka marrë jetë atmosfera festive e artit skenik, ku është duke u mbajtur Festivali i Teatrove “Ku Fest”. Ky manifestim kulturor ka mbledhur në një skenë trupa teatrore nga trevat e ndryshme shqiptare dhe më gjerë, duke sjellë para publikut shfaqje të larmishme e me mesazhe të fuqishme artistike. Festivali synon të bëhet urë lidhëse mes aktorëve, regjisorëve dhe adhuruesve të teatrit, duke e kthyer qytetin në një qendër të gjallë kulturore gjatë këtyre ditëve, shkruan Portalb.mk.

Qazmedin Nuredini pjesë e stafit organizativ për Portalb.mk tha se pritja e publikut ka qenë shumë e ngrohtë ndaj këtyre tre netëve të festivalit, dhe deri tani gjithçka po ecën sipas planit të paraparë.

“Pritja e publikut ka qenë shumë e ngrohtë, mendoj që ky është një fillim i mbarë dhe që premton një jetëgjatësi të sigurt të  këti jFestivalit. Publiku ishte i përfshirë në të gjitha performancat e deritanishme dhe reagimet pas çdo shfaqje, nga ana e publikut  ishin tejet pozitive. Sa i përket organizimit, deri tani gjithçka po ecën sipas planit dhe besoj se do të vazhdojë kështu. Bashkëpunimi i Teatrit Ultra dhe pjesëmarrësve në Ku-Fest, gjithmonë ka qenë në nivel, mirëpo nuk duhet anashkaluar fakti se shfaqjet janë materje të gjalla, dhe mund të pritet edhe ndonjë problem”, tha Nuredini.

Ai edhe më tej shtoi se Kumanovës i ka munguar një iniciativë e tillë.

“Qytetit tonë i ka munguar një manifestim i tillë. Iniciativa e parë u mor qysh në vitin 2016 nga ana e Teatrit Ultra, me organizimin e edicionit të parë të Ku-Fest, mirëpo fatkeqësisht pas kësaj patëm një vakum, shkaku i mbështetjes nga ana financiare, deri më këtë vit. Tani ky është një rikthim të cilin i gjithë komuniteti artistik po e përjeton si një ringjallje të  jetës kulturore dhe si një shesh të diskutimeve dhe shkëmbimëve të ideve krijuese”, tha Nuredini.

Nuredini bëri të ditur programin i cili është prezantuar dhe mirëpritjen e tyre gjatë këyre tre netëve të festivalit.

Në programën e Festivalit janë të parapara pesë shfaqe, deri më sot publiku pati mundësi të shijojë tre shfaqje edhe atë:

  • Teatri Shqiptar Shkup, “Të rresh apo të mos rresh”, nën regji të Shkumbin Istrefit,
  • Teatri-Faruk Begolli-Prishtinë, “Qeni i Baskervillëve”, nën regji të Kastriot dhe Jon Saqipi,
  • Teatri Prizor-Beograd, me shfaqjen “Pse dhe si ta vrasësh bashkëshortin”.

Reagimet e publikut për këto tre netë ishin tejet pozitive, kjo shihej nga duartrokitjet dhe të qeshurat shumë të shpeshta gjatë shfaqjeve. Në vijim, publiku do të ketë rastin të shohë në skenë një nga klasikët më të mirë të gjitha kohrave “Kaligula”, të Alber Kamy, realizim i Teatrit të Kumanovës-drama Maqedone, nën regji të Gjorgji Rizeskit. Kurse nesër për natën përmbyllëse, do të shfaqet komedia “Pacienti i Doktor Frojdit”, prodhim i Teatrit të Tetovës. Shpresojmë që edhe këto dy netë, publiku të ndahet i kënaqur”, tha Nuredini.