KSHPK: Raportet mbi donacionet e pranuara i kanë dorëzuar vetëm 35% e pjesëmarrësve në fushatën zgjedhore në RMV
Sipas afatit për dorëzimin e Raportit mbi donacionet e pranuara në një llogari transaksioni për fushatën zgjedhore, për periudhën nga hapja e llogarisë deri në ditën e 11-të të fushatës zgjedhore, pra që përfundoi më 09.10.2025 deri në orën 24:00, në KSHPK janë dorëzuar gjithsej 61 raporte, që përbën pak mbi 35% të numrit të përgjithshëm të pjesëmarrësve në procesin zgjedhor, thonë nga KSHPK. Të 19 koalicionet dorëzuan raportet e donacioneve, 18 raporte u morën nga partitë politike dhe 24 raporte nga kandidatët e pavarur, të mbështetur nga një grup votuesish, transmeton Portalb.mk.
Pas afatit, u dorëzuan edhe 2 raporte nga partitë politike.
Raportet e donacioneve janë publikuar në faqen e internetit të KSHPK-së, në këtë link.
“Sipas Kodit Zgjedhor, pjesëmarrësit në fushatën zgjedhore për Zgjedhjet Lokale të vitit 2025 janë të detyruar të dorëzojnë raporte mbi donacionet e pranuara gjatë procesit zgjedhor si burim i financimit të tyre, si dhe një raport të përgjithshëm financiar me të dhëna mbi të ardhurat dhe shpenzimet totale të fushatës zgjedhore, brenda afateve të përcaktuara me ligj, gjë që lejon monitorimin e ligjshmërisë së financimit dhe shpenzimit të fondeve nga institucionet kompetente, si dhe shikimin e publikut mbi burimet e të ardhurave dhe mënyrën e shpenzimit të fondeve në fushatën zgjedhore, me qëllim forcimin e besimit në procesin zgjedhor”, thonë nga KSHPK.
Ndryshe, më 29 shtator në Maqedoninë e Veriut filloi fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të këtij viti, rrethi i parë i të cilave do të mbahet më 19 tetor. Fushata do të zgjasë pandërprerë deri më 17 tetor, ndërsa fushata për rrethin e dytë, i cili do të mbahet më 2 nëntor, do të vazhdojë deri më 31 tetor.