Kryetari i Këshillit të Prokurorëve: Prokuroria sipas hierarkisë mund ta rishikojë vendimin për arrestin shtëpiak të Grubit
Kryetari i Këshillit të Prokurorëve Publikë, Bashkim Besimi, thotë se çdo mangësi e mundshme në vendimin për zëvendësimin e dënimit me burg të Artan Grubit me arrest shtëpiak mund të trajtohet nga një prokuror i lartë publik ose republikan, sepse këtë e kërkon parimi i hierarkisë në Prokurorinë Publike. Sa i përket Këshillit që ai kryeson, sipas tij, ai vendos vetëm për ankesat, transmeton Portalb.mk.
Besimi e tha këtë para fillimit të seancës së sotme të Këshillit të Prokurorëve Publikë, kur u pyet nga gazetarët për të komentuar deklaratën e djeshme të ministrit të Drejtësisë, Igor Filkov, i cili i bëri thirrje Këshillit të Prokurorëve Publikë dhe Këshillit Gjyqësor të përcaktojnë nëse ekziston bazë për përgjegjësi nga ana e prokurorit publik kompetent që e propozoi atë, dhe nga gjyqtari në procedurën paraprake i cili pranoi që ish-zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi të shkojë në arrest shtëpiak.
“Dëgjova nga mediat për thirrjet me emra, por kompetencat e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publikë janë të ndryshme, kështu që mund të debatojmë, por prokurorët republikanë dhe të lartë vendosin për këtë, aty ka një hierarki”, tha ai.
I pyetur nga gazetarët se sa e zakonshme është praktika që prokurorët të kërkojnë arrest shtëpiak për persona të kërkuar me urdhër arresti ndërkombëtar dhe nëse kjo bie ndesh me rregulla dhe norma të caktuara, Besimi tha se ky është qëndrimi i Prokurorisë, e cila mori vendimin, dhe se ai, si kryetar i Këshillit, nuk mund të thotë asgjë për këtë.
Lidhur me thirrjet publike me emra nga Filkov të prokurorit dhe gjyqtarit që morën pjesë në procesin e marrjes së vendimit për arrestin shtëpiak të Grubit, Besimi tha se ky është qëndrimi i ministrit, por shtoi se beson se është gabim t’i përmendësh ata me emër dhe mbiemër.
Në kontekstin e temës, kryetari i Këshillit të Prokurorëve Publikë tha se çdo rast duhet të shqyrtohet veçmas.
Dje, në një konferencë për shtyp, ministri i Drejtësisë Igor Filkov i bëri thirrje Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publikë të thërrasin seanca urgjente dhe të përcaktojnë nëse ka elementë përgjegjësie nga ana e prokurorit publik që kërkoi dhe gjyqtarit që miratoi arrestin shtëpiak në vend të paraburgimit efektiv për ish-zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin Artan Grubi, i cili u shfaq në kufirin maqedono-kosovar pardje pas më shumë se një viti në arrati.
“Prokurori publik Daniel Kocev të shpjegojë në bazë të cilave fakte dhe argumente ligjore specifike është dhënë mendim pozitiv për zëvendësimin e paraburgimit; kreu i prokurorisë Anel Fidoski – nëse ai qëndron pas këtij vendimi dhe nëse ai beson se ky është një mesazh për zbatim të barabartë të ligjit; gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale – Shkup, Marin Stanevski – cilat rrethana e tejkalonin rrezikun e arratisjes për një person që nuk ishte i disponueshëm për 14 muaj”, tha Filkov.
Anëtarja e Këshillit Gjyqësor, Suzana Joshevska-Anastasovska, dje në një postim në Facebook deklaroi se Këshilli nuk ka nevojë të ulet dhe të diskutojë vendimin e gjyqtarit të procedurës paraprake, duke treguar një nga rregullat themelore në procedurën penale, sipas të cilit një gjyqtar nuk mund të shqiptojë masë paraburgimi nëse ka propozim nga një prokuror për arrest shtëpiak.
Pas intervistës së zhvilluar ndërmjet prokurorit publik dhe Artan Grubit rreth aferës korruptive në “Lotarinë Shtetërore”, prokurori publik kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë për të dyshuarin e dytë, Artan Grubin. Gjykata Themelore Penale në Shkup e pranoi propozimin. Pas reagimeve në opinion, Prokuroria sot u arsyetua se vendimi është bazuar në informacione nga MPB dhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare se siguria e tij nuk mund të garantohet në paraburgim.
Ndryshe, më 23 shkurt, në orët e para të mëngjesit u arrestua ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi. Ai u arrestua në kalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, prej nga edhe ishte larguar. Pasi u dërgua në burgun e Shutkës, vazhdoi intervistimin në Prokurori dhe Gjykatën Penale.
Artan Grubi në fund të vitit 2024 u fut në Listën e Zezë Amerikane për korrupsion dhe ndërhyrje në proceset gjyqësore për të shpëtuar Sasho Mijallkovin, pas së cilës ai u tërhoq nga jeta publike.
Pak ditë më vonë, ai u arratis nga vendi, ndërsa kërkohej me fletarrest ndërkombëtar së bashku me ish drejtorin e Lotarisë Shtetërore Përparim Bajramin, për rastin ‘Lotaria’. Atyre u është caktuar masa e paraburgimit për 30 ditë.
Që të dy dyshohen se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë prej mbi 8.2 milion euro. Ata ngarkohen për veprën penale “mashtrim në shërbim” sipas nenit 354 të Kodit Penal, që parashikon dënim me të paktën katër vjet burg.
Katër të tjerët dyshohen në cilësinë e tyre si kryetarë dhe anëtarë të një komisioni për dy thirrje të veçanta publike dhe ekziston dyshimi se kanë abuzuar me kompetencat dhe detyrat e tyre të veçanta dhe kanë kryer thirrje publike për transferimin e të drejtës për të organizuar lojëra fati elektronike dhe online, megjithëse e dinin se një procedurë e tillë në raste specifike nuk duhet të kryhet.