Kryeparlamentari Afrim Gashi doli nga spitali, kthehet në detyrë
Kryeparlamentari i RMV-së, Afrim Gashi përmes rrjeteve sociale ka njoftuar se pas ditëve qëndrimi në Klinikën Universitare për Kirurgji Digjestive, sot është liruar nga spitali, transmeton Portalb.mk.
“Në radhë të parë, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time më të thellë dhe të sinqertë për të gjithë ata që u kujdesën për mua gjatë kësaj periudhe.Falënderim të veçantë i drejtoj drejtorit të klinikës, Ognen Kostovski, mjekëve, infermierëve dhe të gjithë personelit shëndetësor, për profesionalizmin, përkushtimin dhe humanizmin që treguan”, shkroi kryetari i kuvendit Gashi.
Gashi falënderoi miqtë, kolegët, bashkëqytetarët, përfaqësues të institucioneve dhe mediave, për fjalët e ngrohta, mesazhet e shumta dhe interesimin e vazhdueshëm.
“Kujdesi juaj ka qenë një forcë shtesë për rikuperimin tim” shkruan Gashi në profilin e tij në Facebook.
Gashi ishte pranuar në spital më 23 korrik rreth mesnatës me dhimbje stomaku dhe, siç njoftuan nga spitali, menjëherë iu nënshtrua analizave të nevojshme radiologjike dhe laboratorike.