Kryeministri Netanyahu kërkoi nga presidenti që ta fal në lidhje me rastin gjyqësor për korrupsion

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i paraqiti të dielën një kërkesë presidentit të vendit për falje në gjyqin e tij për korrupsion që zgjat disa vite, duke argumentuar se procedurat penale po pengonin aftësinë e tij për të qeverisur dhe një falje do t’i shërbente interesave të shoqërisë izraelite, raporton Reuters.

Netanyahu, kryeministri më jetëgjatë në vend, i ka mohuar prej kohësh akuzat për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit. Avokatët e tij thanë në një letër drejtuar zyrës së presidentit se kryeministri ende beson se procedurat ligjore do të rezultonin në një lirim të plotë nga akuzat.

“Avokatët e mi i dërguan sot një kërkesë për falje presidentit të vendit. Pres që kushdo që dëshiron të mirën e vendit ta mbështesë këtë hap”, tha Netanyahu në një deklaratë të shkurtër të lëshuar nga partia e tij politike, Likud.