U paralajmërua marsh protestues në Strugë në mbrojtje të mjekut Asani

Familjarë dhe kolegë të mjekut të dënuar, Muhamed Asani, kanë paralajmëruar marsh protestues për të martën, në kundërshtim të vendimit të Gjykatës Themelore të Strugës, transmeton Portalb.mk.

“Qëllimi i këtij marshimi është ngritja e zërit kundër praktikave të padrejta, mungesës së paanshmërisë dhe trajtimit jo të drejtë të profesionistëve të shëndetësisë dhe qytetarëve në përgjithësi në Gjykatën Themelore të Strugës”, njoftojnë organizatorët e marshit.

Marshi do të fillojë në ora 12:00 nga hyrja e Spitalit të Strugës për të vazhduar kah qendra e qytetit.

Ju njoftojmë se komuniteti i qytetarëve të Strugës, së bashku me kolegë, mjekë dhe mbështetës të drejtësisë, do të organizojnë një marshim paqësor protestues lidhur me padrejtësitë e përsëritura në proceset gjyqësore, përfshirë edhe rastin e fundit të Dr. Muhamed Asanit”, sqarojnë organizatorët.

Vajza e mjekut të dënuar, Blerina Asani, ka publikuar edhe një letër në shenjë proteste kundër vendimit gjyqësor.

“Kam menduar shumë përpara se ta shkruaj këtë letër. Gjithmonë kam besuar se drejtësia do ta bëjë punën e vet. Por fatkeqësisht, JO nuk qenka kështu. Dhe vendimi absurd, i pakuptimtë, i pamend dhe i paprecedent që u mor në këtë rast, nuk ishte rezultat i provave, sepse provat flasin të kundërtën. Ky vendim ishte rezultat i diçkaje tjetër. Dhe unë, si fëmijë i njeriut që u dënua në mënyrën më të padrejtë të mundshme, kam disa pyetje të hapura që presin përgjigje. Pyetje që ju nuk i dhatë kurrë”, deklaroi Blerina Asani.

Ndryshe, tre vjet dënim efektiv me burg dhe pesë vjet ndalesë për kryerje të profesionit, veprimtarisë ose detyrës, gjykata në Strugë më 21 nëntor i shqiptoi gjinekologut Muhamed Asani, i akuzuar i parë në rastin me lehonën nga Dibra, Jilldiz Veaposka të cilës pas lindjes me operacion cezarian në Spitalin në Strugë i ishin hequr mitra, vezorja dhe veshka.

Nga akuza u liruan i akuzuari i dytë, djali i tij Blerton Asani, i cili atëherë ishte në specializim për gjinekologji dhe e akuzuara e tretë mjekja Liljana Jovanovska.

Procesi gjyqësor zgjati katër vjet e gjysmë, ndërsa e dëmtuara Veaposka shfaqi kënaqësi nga gjoba e shqiptuar, me vërejtje se faj në këtë rast ka edhe i akuzuari i dytë, i cili si specializant ka marrë pjesë gjatë operacionit cezarian.