Kryeministri i Hungarisë: Nuk mund të fillojnë bisedimet për anëtarësimin e Ukrainës në BE

Vendet e BE-së do të vendosin në dhjetor nëse do të lejojnë Ukrainën të fillojë negociatat e pranimit, për të cilën duhet mbështetja e 27 anëtarëve. Diplomatët kanë thënë se Hungaria mund të jetë një pengesë. Kryeministri i hungarisë, Viktor Orban, tha të premten se “pyetje shumë të vështira” duhet të përgjigjen përpara se Bashkimi Evropian të mund të fillojë bisedimet për anëtarësimin e Ukrainës, shkruan Reuters, transmeton Portalb.mk.

“Ne nuk mund ta shmangim pyetjen, kur gjatë vjeshtës do të kemi negociata në Bruksel për të ardhmen e Ukrainës, nëse mund të konsiderojmë seriozisht anëtarësimin për një vend, për të filluar bisedimet e pranimit me një vend që është në luftë”, tha Orban në radion shtetërore.

“Ne nuk e dimë se sa i madh është territori i këtij vendi, pasi lufta është ende në vazhdim, nuk e dimë se sa e madhe është popullsia e tij teksa po ikin … Të pranosh një vend në BE pa ditur parametrat e tij është e padëgjuar më parë”, vazhdoi Orban, “kështu që unë mendoj se ne duhet t’u përgjigjemi pyetjeve shumë të gjera dhe të vështira derisa të arrijmë të vendosim në të vërtetë për fillimin e bisedimeve të pranimit”.

Ministria e jashtme e Ukrainës komentoi fjalët e Orbanit duke thënë publikisht se dëshirojnë të informojnë që “Ukraina nuk ka ndryshuar territorin e saj brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht”.

Orban kultivon lidhje më të ngushta me Moskën dhe ka kundërshtuar vazhdimisht Kievin, duke përfshirë të drejtën e hungarezëve etnikë për të mësuar në gjuhën e tyre amtare pasi Ukraina miratoi një ligj të vitit 2017 që kufizon përdorimin e gjuhëve të pakicave në shkolla.

Orban i tha parlamentit të hënën se Hungaria nuk do të mbështesë Ukrainën për asnjë nga çështjet ndërkombëtare derisa ajo t’i rikthejë të drejtat gjuhësore të hungarezëve etnikë.

Megjithatë Hungaria është anëtare e NATO-s dhe ka kundërshtuar pushtimin e Ukrainës nga Rusia. Hungaria ka refuzuar të dërgojë armë në Ukrainë, por ka mirëpritur refugjatët ukrainas që ikin nga lufta. Gjermania gjithsesi e ka kritikuar këtë qëndrim.