Kroacia, Sllovenia, Mali i Zi dhe Shqipëria kanë avionë qeveritarë më të vjetër se Maqedonia

Ndoshta kolegët presidentë të Gordana Siljanovska-Davkovës nga rajoni kanë bërë humor kur kanë folur për avionin qeveritar të Maqedonisë, ose ndoshta vetë presidentja deshi që, siç tha dje, t’i bënte gazetarët të qeshnin. Siljanovska prezantoi disa të dhëna të pasakta në lidhje me avionin qeveritar “Learjet 60” në debatin lidhur me atë nëse duhet të blihet një avion i ri, më i madh. Dhe nëse kjo mund të jetë një nga prioritetet e Qeverisë. Bashkë me dyshimet e forta se avioni qeveritar është përdorur edhe për udhëtime private, shkruan Nezavisen.mk, transmeton Portalb.mk.

Çfarë tha Siljanovska?

“Kolegët e mi presidentë nga rajoni avionin qeveritar e quajnë avionin e Vëllezërve Wright, sepse është më i vogli dhe më i vjetri. Mund të them se për mua përdorimi i avionit qeveritar ndonjëherë më mundëson kryerjen funksionale të punës shtetërore, por është edhe më i lirë se përdorimi i fluturimeve komerciale. Tani, nuk është shumë komod, gjithmonë kam një dilemë kur nuk kam zgjidhje tjetër, sepse e di që është 25 vjet i vjetër dhe është blerë i përdorur.”

Qeveria, në deklaratën e djeshme, në të cilën demantoi se familja e kryeministrit Hristijan Mickoski ka udhëtuar në avionin, thotë se “avioni qeveritar është 20 vjet i vjetër”.

Kjo është e para. E dyta është se avioni nuk është blerë i përdorur, por është porositur nga një fabrikë në vitin 2004 pas rrëzimit tragjik të avionit ku humbi jetën Presidenti Boris Trajkovski në shkurt të atij viti. “Learjet 60”-i qeveritar është prodhuar në vitin 2004 në Wichita, Kansas, SHBA, në fabrikën “Bombardier Aerospace” dhe ka qenë në shërbim që nga janari i vitit 2005. Është blerë gjatë qeverisjes së Vllado Buçkovskit. Sipas performancës së tij ai është një avion biznesi me fluturim në linja të mesme, me të rregullisht fluturohet nëpër Evropë dhe në Lindjen e Mesme dhe ka shtatë ulëse. Nuk është i përshtatshëm për fluturime transatlantike, sepse mund të fluturojë deri në 4.500 kilometra.

E treta është se “Learjet 60” nuk është avioni më i vjetër i përdorur nga zyrtarët shtetërorë në rajon. Avionët qeveritarë të Kroacisë, Sllovenisë, Malit të Zi dhe Shqipërisë janë më të vjetër se ai. Bosnja dhe Hercegovina nuk ka një avion qeveritar (por Republika Srpska ka). Vetëm Serbia ka një avion të ri.

Avioni qeveritar kroat është “Challenger CL-604”. Është prodhuar në vitin 1997 dhe është bërë pjesë e flotës kroate si një avion i ri. Avioni ka 12 ulëse, një shpejtësi maksimale prej 840 km/orë dhe mund të fluturojë deri në 6.400 km. Distanca më e afërt ajrore midis Zagrebit dhe Nju Jorkut është 6.900 km, që do të thotë se nuk është i përshtatshëm as për fluturime transatlantike. Avioni qeveritar kroat përdoret edhe për fluturime mjekësore emergjente për qytetarët. Kroacia më parë ka pasur dy avionë qeveritarë “Challenger”, por njërin e kanë shitur një pas vdekjes së Franjo Tugjman.

Avioni qeveritar i Sllovenisë është “Dassault Falcon 2000EX”. Ai është prodhuar në vitin 2003. Ka vende për 8-10 pasagjerë dhe ka një rreze fluturimi maksimale prej 7.000 km. Ai është nën menaxhimin e ushtrisë sllovene. Sllovenia ka gjithashtu tre avionë të tjerë (njëri prej të cilëve është për ulje në bar) për transportimin e personave VIP dhe edhe ato janë nën menaxhimin e ushtrisë sllovene nën kushte shumë rigoroze.

Mali i Zi ka një avion qeveritar, Learjet 45, një model më të vjetër se ai i Maqedonisë. Është prodhuar në vitin 1999 dhe, sipas ekspertëve të aviacionit, nuk është një avion i vjetër. Mund të fluturojë deri në 3.600 kilometra dhe ka vende për tetë pasagjerë. Qeveria e Malit të Zi po plnifikon blerjen e një avioni të ri dhe ka caktuar një buxhet prej 25 milionë eurosh. Por ekspertët e aviacionit nuk mund të bien dakord se çfarë modeli duhet të jetë: Cessna, Embraer, Dassault apo Learjet.

Qeveria e Shqipërisë e zgjidhi nevojën për një avion shtetëror përmes një dhurate nga Turqia. Kompania ajrore kombëtare turke, “Turkish Airlines”, ia transferoi pronësinë e “Airbus A319-115J” Shqipërisë në fund të vitit 2025. Ai dikur ishte pjesë e flotës VIP turke dhe tani vlen 11,9 milionë dollarë. “Airbus” u prodhua në shkurt të vitit 2000. Tirana e mori avionin si pjesë e një marrëveshjeje dypalëshe granti për të përforcuar lidhjet diplomatike dhe ekonomike midis dy vendeve. Qeveria shqiptare filloi ta përdorë atë në fillim të vitit 2026. Deri më tani, udhëheqësia shtetërore dhe ministrat i kanë përdorur avionët e “Air Albania”. Kryeministri Edi Rama ndonjëherë ka fluturuar me avionë privatë në itinerare më të shkurtra, gjë që ka shkaktuar zemërim publik.

Bosnja dhe Hercegovina është një nga vendet e pakta që nuk ka një avion shtetëror dhe nuk ka një linjë ajrore shtetërore. Kështu, zyrtarët e BeH zakonisht fluturojnë me fluturime komerciale, dhe në rast emergjence kërkojnë ndihmë nga vende të tjera. Ndonjëherë përdorin “Air Serbia”, ndërsa ndonjëherë “Turkish Airlines”.

Shteti i Bosnjës dhe Hercegovinës nuk ka një avion, por entiteti Republika Srpska ka. Qeveria e Republika Srpska e bleu avionin “Cessna Citation CJ4” në vitin 2019 për 9,7 milionë euro. Është një avion i gjeneratës së ardhshme nga kjo kompani. Ka vende për 10 pasagjerë. Përdorimi i paarsyeshëm i këtij avioni nga zyrtarët e Republika Srpska është kritikuar shpesh në publik, ndërkohë që u bënë edhe akuza se po përdorej për qëllime private.

Qeveria serbe ka avionin më modern në flotën rajonale. Në vitin 2023 ajo bleu një “Dassault Falcon 6X”, një nga avionët më modernë në klasën e tij, me fluturimin e tij të parë në vitin 2021 dhe dërgesat që filluan në vitin 2022. Serbia ishte një nga blerësit e parë të këtij avioni, i cili ka një rreze fluturimi prej 13.000 kilometrash. Ai ka kapacitet për 16 pasagjerë dhe mund të fluturojë jashtë shtetit. Avioni u ul në Beograd në prill të vitit 2025. Avioni kushton 50 milionë euro, e ndoshta pak më shumë.

Por, meqenëse është prodhuar në Francë, ndoshta duhet të vendoset në kontekstin e blerjes së avionëve luftarakë francezë “Rafale” për ushtrinë serbe. Qeveria serbe në vitin 2018 bleu një “Embraer Legacy 600” të përdorur të prodhuar në vitin 2007. Deri atëherë ai avion është përdorur kryesisht për fluturime në Brazil, ku është prodhuar. Në flotën ajrore serbe ka dy avionë të tjerë të vegjël dhe mjaft të vjetër, “Falcon 50” dhe “Learjet 31A”, të prodhuar në vitet 1990.

Debati mbi përdorimin e aeroplanit qeveritar plasi pas raportimit të televizionit Telma se Shkup – Budapest ishte linja në të cilën aeroplani qeveritar ka fluturuar më shumë. Media njoftoi se shtatë herë ka fluturuar drejt kryeqytetit të Hungarisë në periudhën pasi VMRO – DPMNE formoi qeverinë në qershor 2024, duke e përmbyllur në dhjetor 2025, raporton

Nga ministrat, ministri i Transportit dhe Lidhjeve dhe zëvendëskryeministri, Aleksandar Nikollovski, ka qenë më shumë në ajër, ndërsa ka fluturuar më shpesh drejt Budapestit. Ai e ka përdorur aeroplanin 11 herë, në gjashtë raste prej të cilave kanë qenë atje.

Sipas dokumenteve të siguruara nga Telma nga Shërbimi i Punëve të Përgjithshme dhe të Përbashkëta në Qeveri, ka pasur një rast kur aeroplani qeveritar është dërguar për servis në qytetin gjerman të Nurembergut më 12 janar të vitit të kaluar. Nga atje, është dërguar në Budapest, e ka marrë Nikollovskin dhe është kthyer në Shkup. Ministri i Transportit ka fluturuar edhe për në Londër, ndërsa ish-zëvendëskryeministri i Ekonomisë Vlladimir Peshevski ishte gjithashtu pjesë e delegacionit. Ai ishte gjithashtu në Pragë, Vjenë, dhe ka fluturuar në linjën Shkup – Stamboll dhe anasjelltas, por jo direkt në Shkup, por së pari është ndalur në Ohër.

Nga ana tjetër, tani LSDM i kërkon llogari Qeverisë, përkatësisht të publikojë dokumente me të cilat dëshmon se avioni është përdorur në mënyrë të ligjshme dhe jo për çështje private.