Kroacia po lufton me përmbytjet, në Greqia janë shënuar 32 mijë rrufe në 24 orë

Prej ditës së djeshme në Kroaci, si dhe në pjesën më të madhe të Ballkanit, moti ka ndryshuar. Re, shi dhe bubullima, pas valës së gjatë të të nxehtit, kanë sjellë probleme në disa vende, raporton 360 Gradë.

Nënkryetarja e qytetit të Glinës, në Kroacinë qendrore, Branka Bakshiq-Mitiq, në rrjetet sociale ka bërë të ditur se ka rrugë që janë plotësisht nën ujë, ndërsa zjarrfikësit janë në terren duke u marrë me pasojat e stuhisë. Kryetari Ivan Jankoviq, ndërkaq, informoi se në terren janë të gjitha shërbimet e kompanive vendore “Ujësjellësi” dhe “Komunalec”, si dhe shërbimet e zjarrfikësve.

Mbrëmë, pak pas orës 22, reshje të dendura shiu kanë rënë edhe në qytetin e Kutinës, ku disa rrugë janë kthyer në lumenj, ndërsa zjarrfikësit janë thirrur në disa ndërhyrje për të pompuar ujin nga bodrumet e përmbytura. Por situata u normalizua shpejt pasi shiu nuk zgjati shumë.

Stuhia mbrëmë ka arritur edhe në kryeqytetin Zagreb, ku ka pasur reshje të dendura shiu dhe bubullima, e veçanërisht dramatike ka qenë në lagjen Shën Klara. Rrugët dhe disa shtëpi janë përmbytur.

Mijëra rrufe në Greqi

Në Greqi, nga ana tjetër, rreth 32 mijë vetëtima janë regjistruar në 24 orë që nga mbrëmja e djeshme, sipas shërbimit meteorologjik të Observatorit Kombëtar në Athinë.

Nga 31,828 goditje, 3,906 kanë ndodhur në tokë, ndërsa 27,922 në det, kryesisht përgjatë bregdetit veriperëndimor të vendit, raporton Kathimerini. Stuhitë janë shoqëruar me reshje të dendura shiu në shumë vende.

Reshje të dendura shiu kanë pasur edhe në pjesë të Larisës, Karditës, Korfuzit, Akaisë dhe Arkadisë.