Krerët e RMV-së dhe partitë politike dërguan mesazhe urimi me rastin e Fitër Bajramit
Me rastin e festës së Fitër Bajramit, krerë shtetërorë dhe përfaqësues të partive politike në Maqedoninë e Veriut kanë përcjellë mesazhe urimi për besimtarët myslimanë, duke theksuar rëndësinë e paqes, solidaritetit dhe bashkëjetesës, raporton Portalb.mk.
Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, me rastin e festës së madhe myslimane – Bajramit të Ramazanit, u dërgoi një mesazh urimi besimtarëve të besimit islam dhe kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir ef. Fetahu.
“Juve personalisht, anëtarëve të Rijasetit, myftinjve dhe imamëve, si dhe të gjithë besimtarëve të besimit islam në Maqedoni, ju shpreh urimet e mia më të ngrohta me rastin e festës së madhe myslimane – Bajramit të Ramazanit. Festa e madhe është më shumë sesa një festë tradicionale dhe respektim i normave dhe rregullave. Bajrami i Ramazanit është një shprehje e besimit të thellë, spiritualitetit, mëshirës, harmonisë dhe dashurisë. Energjia dhe ngrohtësia e muajit të shenjtë nuk janë të pranishme vetëm në ndërtesat fetare islame dhe në shtëpitë e bashkëqytetarëve tanë të besimit islam, ato ndihen në të gjithë komunitetin. Në një kohë kur i gjithë njerëzimi po përballet me konflikte serioze, luftëra, kriza, ndryshime klimatike dhe kur kemi nevojë të madhe për paqe dhe stabilitet, vetëm me unitet, respekt dhe vlerësim të ndërsjellë mund të ndërtojmë një shoqëri të shëndetshme dhe një atdhe të begatë”, thuhet në mesazhin e presidentes Siljanovska Davkova.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në mesazhin e tij ka uruar paqe, shëndet dhe begati për të gjithë besimtarët dhe familjet e tyre.
Ai theksoi se muaji i Ramazanit shërben si një periudhë reflektimi dhe përkushtimi, duke rikujtuar vlerat e durimit, përulësisë dhe solidaritetit. Gashi u shpreh me bindje se agjërimi, lutjet dhe veprat e mira të besimtarëve do të pranohen, ndërsa bëri thirrje që këto vlera të vazhdojnë të kultivohen edhe në jetën e përditshme.
“Pas një muaji përkushtimi, reflektimi dhe sakrifice, Ramazani na rikujtoi vlerat e durimit, përulësisë dhe solidaritetit. Duke uruar që agjërimi, lutjet, veprat e mira dhe adhurimet tuaja të jenë pranuar, le të vazhdojmë të kultivojmë mirësinë, respektin dhe bashkëpunimin në përditshmërinë tonë. Le të jetë kjo ditë feste një moment afrimi, që forcon lidhjet tona dhe na frymëzon për më shumë kujdes ndaj njëri-tjetrit”, thuhet ndër të tjera në mesazhin e tij.
Kryeministri Hristijan Mickoski përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ua uroi festën besimtarëve të fesë islame.
“Gëzuar Ramazan Bajramin të gjithë besimtarëve të fesë islame! Në këto ditë të shenjta, kur përmbyllet muaji i agjërimit, durimit dhe përkushtimit shpirtëror, të kujtojmë vlerat e vërteta që na bashkojnë si njerëz: respektin, solidaritetin, humanizmin dhe kujdesin për tjetrin. Kjo festë na mëson se forca e një shoqërie matet me gatishmërinë për të ndihmuar dhe për të treguar mirëkuptim. Si popull, shtohet më tej, gjithmonë kemi ditur të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit në momentet më të rëndësishme. Prandaj, sot më shumë se kurrë, është e nevojshme të kultivojmë bashkëjetesën, të ndërtojmë besim dhe të investojmë në një të ardhme të përbashkët me paqe, stabilitet dhe prosperitet për të gjithë qytetarët”, thuhet në urimin e kryeministrit Mickoski.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti besimtarëve ua ka uruar Bajramin duke ju dëshiruar shëndet, paqe dhe begati në familjet tuaja.
“Ramazan Bajrami është një kohë kur na kujtohen vlerat e vërteta, të cilat janë mirësia, bujaria dhe respekti për çdo person. Urojmë që këto vlera të na udhëheqin në jetën tonë të përditshme dhe të na ndihmojnë të krijojmë një shoqëri më të fortë dhe më humane. Le të vazhdojmë të ndërtojmë ura mirëkuptimi, të japim një dorë kur është më e nevojshme dhe të kultivojmë bashkimin që na bën më të fortë si komunitet. Urojmë që ditët e festave të jenë të mbushura me ngrohtësi, dashuri dhe momente të bukura me të dashurit tanë”, thuhet në urimin e VMRO-së.