Krerët e Maqedonisë së Veriut dërgojnë urime në prag të Vitit të Ri 2025

Krerët e shtetit në Maqedoninë e Veriut kanë dërguar urime shprese, paqeje dhe optimizmi në prag të hyrjes së Vitit të Ri 2025. Presidentja Gordana Siljanovska Davkova, tha se vitin e kaluar kemi qenë dëshmitarë të shumë disfatave dhe dështimeve, por edhe sukseseve, humanizmit, ndihmës dhe mbështetjes reciproke. Viti i Ri, thotë presidentja, është një kohë për të bërë shumë gjëra në një atmosferë të miqësore dhe se viti i ri zgjon gjithmonë optimizëm, shpresë dhe lind mundësi të reja, transmeton Portalb.mk.

“Ashtu si në jetën tuaj, edhe në timen, ka ulje dhe ngritje, por edhe qindra arsye dhe motive për të mos u dorëzuar. Ne e kemi gjithmonë detyrim të ecim përpara dhe për të mirën, për hir të vetvetes, për hir të fëmijëve tanë dhe për të mirën e përbashkët. Njeriu i mençur tha se një degë është e lehtë për t’u thyer, por kur dhjetë degë bashkohen, është e pamundur. Duke jetuar në një botë me vlera të shtrembëruara, le të dërgojmë mesazhe se së bashku jemi më të fortë dhe më të lumtur. T’i japim dorën të pafuqishmëve. Le të ndërtojmë një shoqëri në të cilën të gjithë do të kenë një shans për një jetë të denjë dhe dinjitoze”, thuhet në urimin e Davkovës.

Kryeministri i RMV-së Hristijan Mickoski. Foto: Qeveria e RMV-së
Kryeministri i RMV-së Hristijan Mickoski. Foto: Qeveria e RMV-së

Kryeministri Hrisitjan Mickoski nga ana tjetër tha se viti 2024 ishte vit i rrethanave të rënda dhe serioze jo vetëm në vendin tonë, por edhe në mbarë botën. Luftërat në më shumë rajone, tragjedia e viktimave dhe të plagosurve, impakti ekonomik i gjithë asaj, si dhe taksat dhe efektet e veprimeve të, sip thotë ai, politikanëve të papërgjegjshëm tek ne, që i jetuam dhe ende i jetojmë të gjithë.

“Viti 2024 ishte vit kur qytetarët zgjodhën se çfarë të ardhme duan dhe zgjodhën me vendosmëri dhe bindje si kurrë më pare, që Maqedonia të jetë sërish e tyre. Ajo fitore nuk ishte vetëm numër, ajo ishte një mandat i qartë nga populli për një rrugë të re dhe vizion të ri. Ju siguroj se ne e respektojmë dhe e ruajmë atë besim dhe çdo ditë punojmë pa u lodhur për të realizuar premtimet që i dhamë dhe ne këtë betim dhe përgjegjësi nuk e harrojmë. Gëzuar dhe suksese në Vitin e Ri, plot shëndet, lumturi dhe shumë dashuri! Zoti e bekoftë Maqedoninë dhe qytetarët e saj”, thuhet në urimin e Mickoskit.

 

Kryeparlamentari Afrim Gashi tha se tani duhet të reflektojmë mbi vitin që kemi kaluar dhe t’i hapim rrugë vitit të ri për mundësi të reja.

“Kur jemi në prag të ndërrimit të viteve, ndjejë se është moment i përsosur të reflektojmë mbi atë që kemi kaluar si dhe të hapim rrugë për vitin e ri me mundësi të reja. Viti që po e lëmë pas kishte sfida, por edhe ndryshime thelbësore. Kuvendi ynë pas rotacionit politik këtë vit, ka pasur përbërje dhe dinamikë të re. Treguam angazhim serioz në rritjen e transparencës dhe diplomacinë parlamentare. Viti që vjen na ofron mundësi të punojmë për një shtet më të drejtë dhe më të zhvilluar, në të cilin çdokush jeton me dinjtet dhe prosperitet”, tha kryeparlamentari Gashi në mesazhin për vitin e ri.

Kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, Venko Filipçe, në fjalimin e tij të Vitit të Ri, tha humbja zgjedhore në këtë vit ishte jo vetëm një paralajmërim, por edhe një nxitje për të ndryshuar, për të qenë më të mirë dhe më të aksesueshëm për çdo qytetar.

Venko Filipçe. Foto: LSDM
Venko Filipçe. Foto: LSDM

“Viti i ri është një kohë shprese, fillimesh të reja dhe një kohë për të kujtuar gjithçka që ka ndodhur në vitin e kaluar. Viti 2024 ishte vit sfidash për LSDM-në, vit në të cilin mësuam shumë dhe vendosëm të kthenim një fletë të re. Me gjithë vështirësitë, ne u forcuam dhe hapëm rrugën drejt një të ardhmeje të mbushur me përkushtim dhe punë për të gjithë ju. Ne kemi treguar se mund të përballemi me realitetin, të nxjerrim mësime dhe të vazhdojmë me një vizion të qartë. Sot LSDM është një parti me energji të re, me një lidership që është këtu për të dëgjuar nevojat tuaja dhe për të ofruar zgjidhje. 2024 fatkeqësisht ka sjellë shpresa të prishura për shumë njerëz. Në vend të rritjes ekonomike, stabilitetit dhe perspektivës evropiane, pamë stagnim dhe bllokime nga qeveria e re”, thuhet në kumtesën e LSDM-së.

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, në profilin e tij në Facebook shkroi se viti 2024 ishte një vit i mbushur me arritje, përballje dhe reflektime që kanë formësuar vizionin për të ardhmen.

“Pavarësisht këtyre sfidave e problemeve, hyjmë në vitin 2025, më të fortë dhe më të vendosur për të ndërtuar një të ardhme më të mirë dhe më të drejtë për të gjithë. Qoftë ky vit i unitetit dhe solidaritetit, ku qytetarët e të gjitha komuniteteve të bashkohen në një qëllim të përbashkët: një shtet evropian, të drejtë dhe të përparuar!
Ne jemi të bindur se përmes bashkëpunimit, mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë, mund të shërojmë plagët dhe të forcojmë themelet e një shoqërie që iu përket të gjithëve. Shqiptarët kanë dëshmuar gjithmonë se janë të pathyeshëm përballë sfidave dhe të vendosur për të ndërtuar një të ardhme të ndritur për fëmijët tanë. Në vitin që vjen, do të vazhdojmë të luftojmë për barazi, për zhvillim dhe për një demokraci që reflekton vlerat dhe potencialin e të gjithë qytetarëve tanë. Nga zemra, ju uroj një Vit të Ri të mbushur me shëndet, lumturi dhe suksese për ju dhe familjet tuaja. Qoftë 2025 një vit me më shumë drejtësi, dashuri dhe solidaritet për të gjithë!”, shkroi Ahmeti.

Nga pkoalicioni në pushtet VLEN, thanë se ky vit nuk ka qenë aspak i lehtë për ta si koalicion, por se bindja e palëkundur dhe besimi i qytetarëve ishin shtytësit kryesor që ndihmuan këtë vit të vështirë ta mbyllin në formën më të mirë të mundshme.

“Ndryshimi i reflektuar që tashmë është i prekshëm e shihet nga gjithkush ndodhi vetëm për gjysmën e dytë të këtij viti.Rritëm pensionet, pagat minimale, pagat e mësimdhënësve, rritja e pagave në shëndetësi, punësime të reja, ofruam ndihma për studentë për pajisje digjitale, mundësi për të rinjtë që të fillojnë me biznese, filluam me ndërtim të shkollave, e shumë projekte të tjera në dobi të shoqërisë. Në emër të koalicionit VLEN dërgojmë urime të sinqerta për gjithë qytetarët e këtij vendi, duke shpresuar për vitin që po vjen të jetë sinonim i bashkëjetesës dhe bashkimit të shoqërisë tonë. Rikthimit të shpresës për një jetë më të mirë, e për fillimin e epokës ku përgjegjësia është parim i funksionimit. Gëzuar festat e Vitin që po vjen,  ju urojmë të përjetoni momente të ngrohta afër familjeve tuaja!”, thuhet në urim.

Ndryshe, institucionet shëndetësore, në prag të festave të fundvitit, rekomandojnë që të shmanget alkooli dhe pihet më shumë ujë. Në njoftimin publik nga ISHP kujtojnë dëmin e bërë nga pijet me sheqer dhe alkooli.

“Marrja e pijeve me sheqer është një nga shkaqet kryesore të rritjes së prevalencës së obezitetit, diabetit të tipit 2, sëmundjeve kardiovaskulare, kariesit dentar dhe problemeve të tjera shëndetësore. Në Maqedoninë e Veriut, të dhënat e Iniciativës për monitorimin e obezitetit tek fëmijët tregojnë se konsumimi i pijeve joalkoolike të ëmbla më shumë se 3 herë në javë përfaqësohet nga 45 përqind e djemve dhe 37 përqind e vajzave”, kujtojnë ata.

Në lidhje me alkoolin, ISHP tregon Agjencinë Ndërkombëtare për Kërkimin e Kancerit, e cila e klasifikon alkoolin si një substancë toksike, psikoaktive që krijon varësi dhe një substancë kancerogjene (grupi 1) me të cilën lidhen shtatë lloje kanceri: të gojës, të fytit, trake, ezofag, mëlçi, gjoks (femra) dhe zorrë e trashë.