Kremlini akuzoi Evropën se është kthyer në parti lufte
Kremlini akuzoi sot Evropën për “militarizimin” e vetvetes aq shumë sa është kthyer në një “parti lufte”, raporton Agjencia Anadollu.
“Evropa deri më tani ka shkuar në militarizimin e vetvetes dhe është kthyer në një parti lufte”, u tha gazetarëve në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Duke theksuar se Rusia dëgjon shumë sinjale që vijnë nga Evropa çdo ditë, Peskov tha se sinjalet nga Brukseli dhe kryeqytetet e tjera evropiane merren kryesisht me planet për militarizimin e bllokut.
Ai tha se kjo është “qartësisht në kundërshtim me qëndrimin e presidentit të Rusisë dhe atij të SHBA-së për të kërkuar mënyra për të hyrë në një proces zgjidhjeje paqësore”.
Moska nuk ka marrë asnjë sinjal nga Brukseli për gatishmërinë e saj për të filluar procesin e negociatave, tha më tej Peskov.
Duke komentuar takimin e ardhshëm midis grupeve teknike nga Rusia dhe SHBA-ja, zëdhënësi tha se bisedimet do të mbahen në “ditët e ardhshme” dhe do të përfshijnë gjithashtu bisedime për Ukrainën dhe ringjalljen e mundshme të Iniciativës së Drithërave të Detit të Zi.
“Presidentët folën gjithashtu për rinovimin e nismës së Detit të Zi (gjatë bisedës së tyre të dielën). Ka gjithashtu shumë nuanca që duhen diskutuar”, tha ai, duke vënë në dukje se bisedimet e ardhshme do të përfshijnë diskutime mbi këto nuanca.
Ai shtoi se Rusia do të emërojë përfaqësuesit e saj që do të marrin pjesë në bisedime në kohën e duhur.