KQZ Kosovë: Pjesëmarrja në votime kalon 445 mijë qytetarë deri në orën 15:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës po zhvillohet sipas planifikimeve në të gjitha komunat e vendit, pa probleme që do të cenonin mbarëvajtjen e tij. Sipas të dhënave preliminare nga mbi 98.5% e vendvotimeve, deri në orën 15:00 kanë votuar 445 mijë qytetarë, ose 22,74% e 1 milionë e 959 mijë e 962 votuesve me të drejtë vote, transmeton RTK.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, tha se sipas të dhënave të fundit nga Komisionet Komunale, qendrat e votimit po funksionojnë normalisht në të gjithë vendin.

“Në dhomën operative jemi duke pranuar vazhdimisht raportime të ndryshme nga Qendrat e Votimit dhe duke u mbështetur në natyrën e këtyre raportimeve, të cilat janë kryesisht çështje teknike, procesi zgjedhor po zhvillohet qetë dhe pa asnjë pengesë që do të mund të cenonte mbarëvajtjen e rregullt të këtij procesi zgjedhor. Po ashtu, duke u mbështetur në të dhënat preliminare që kemi marrë nga mbi 98% e vendvotimeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 15:00 është 445 mijë e 622 votues apo 22,74% nga 1 milionë e 959 mijë e 962 votues”, tha Radoniqi në konferencë për media.

Radoniqi theksoi s deri në të njëjtën kohë, në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025, kishin votuar 29.29% apo 585 mijë e 635 votues nga 1 milionë e 999 mijë e 204 votues.