KQZ-ja me thirrje për dalje në votim, shpreson në proces të qetë
Kryetari i Komisionit Qendror i Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se komisioni ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për organizimin e zgjedhjeve në veri dhe se tani është gati për fillimin e tyre, raporton Koha.net. Radoniqi ka ftuar qytetarët që ta shfrytëzojnë të drejtën e votës, duke u shprehur me shpresë se procesi do të kalojë i qetë.
“Meqë nesër është dita e zgjedhjeve për komunat e veriut ne si KQZ kemi ndërmarrë te gjitha hapat e nevojshëm për organizimin e zgjedhjeve. Kemi vendosur të gjitha vendvotimet e miratuara dhe çdo gjë është gati për fillim të zgjedhjeve. Andaj në emër të KQZ i ftoj të gjithë qytetarët e komunave të veriut të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe të dalin të votojnë. Shpresojmë që i gjithë procesi do të shkojë i qetë dhe i lirë”, ka thënë ai.
Kryeshefi i Sekretarit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, ka thënë se fletëvotimet janë në depon e komisionit dhe do të shpërndahen sipas planifikimeve. Ai ka thënë se kanë pranuar edhe listën e të burgosurve të cilëve do t’u jepet e drejta për të votuar.
“Në 13 qendrat alternative janë duke u bërë përgatitjet e fundit. Kemi pranuar një listë të personave që janë të burgosur, në listën përfundimtare të KQZ-së nga Leposaviqi janë 3 persona, nga Zubin Potoku 4, nga Zveçani 2 dhe Mitrovica e Veriut 16 persona. Sekretariati me miratimin e KQZ-së do të dërgojë ekipet mobile dhe do tu japë të drejtën për të votuar. Fletëvotimet kanë ardhur në depon e KQZ-së dhe do të shpërndahen sipas planifikimeve”, ka thënë Ahmetaj.
Ahmetaj ka treguar se ka rekomanduar një listë të stafit rezervë.
“Sekretariati ka bërë rekomandime për një listë të stafit rezervë për vendet e paplotësuara. Këto vende rekomandohet që të plotësohen me staf të administratës lokale dhe me një numër të stafit të sekretariatit, lista është prej 48 personave, këta do të jenë si anëtarë të këshillave të vendvotimeve”.
Më 23 prill, qytetarët me të drejtë vote në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – do të zgjedhin kryetarët e rinj. Ndërkaq, në Leposaviq dhe Zveçan do të votohet edhe për përbërjet e reja të asambleve komunale.