Kosovë, filloi Kampionati i Hapur Evropian i Xhudos

Ka filluar Kampionati i Hapur Evropian i Xhudos në Prishtinë (European Judo Championships Open Prishtina 2023) në kategorinë deri në 73 kilogram për djem dhe deri në 57 kilogram për vajza, raporton Anadolu.

Në këtë garë sportive, e cila është më e madhja e xhudos e mbajtur ndonjëherë në Kosovë, po marrin pjesë 26 shtete me mbi 40 xhudistë elitarë, nga të cilët 25 djem dhe 15 vajza.

Fituesit do të shpërblehen me nga 55 mijë euro, finalistët me nga 35 mijë euro, vendet e treta me nga 20 mijë euro, kurse xhudistët e vendit të pestë me nga 10 mijë euro. Shpërblimi total në këtë garë do të jetë 300 mijë euro.

Kosova po merr pjesë në këtë kampionat me dy xhudistë nga kategoria e djemve dhe dy nga kategoria e vajzave, ndërsa shtetet e tjera kanë të drejtë pjesëmarrjeje vetëm me nga një xhudist e një xhudiste.

Në kategorinë e djemve nga Kosova po garojnë Akil Gjakova dhe Dardan Cena. Ndërsa nga kategoria e vajzave, po marrin pjesë edhe dy kampionet olimpike kosovare, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova.

Prej emrave të mëdhenj që kanë zbarkuar në Prishtinë te vajzave janë: Eteri Liparteliani e Gjeorgjisë, Timna Nelson Levy e Izraelit dhe Priscilla Gneto e Francës.

Ndërkohë, te djemve janë: Hidayet Heydarov i Azerbajxhanit, legjenda gjeorgjiane Lasha Shavdatuashvili, spanjolli Salvador Cases Roca, Manuel Lombardo i Italisë dhe xhudisti nga Moldavia Petri Pelivan.

Garat po përcillen me qindra spektatorë në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, ndërsa rreth orës 4:00 pasdite do të jenë garat finale.

Kampionati i Hapur Evropian i Xhudos, “European Championships Open”, organizohet në kuadër të programit shtetëror “Kosova, shtet i xhudos” nga Federata e Xhudos e Kosovës dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Federatës Evropiane të Xhudos.