Kosovë, edhe Qeveria, edhe serbët me kushte për zgjedhjet

Për mbajtjen e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – ka kushte si Qeveria, ashtu edhe popullata vendase. Zgjedhjet përmenden si opsion për shtensionimin e situatës, pasi marrja e detyrës nga kryetarët shqiptarë, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, ka shkaktuar tensione e trazira qysh më 26 maj, shkruan REL.

Për këtë situatë, Kosova ka fajësuar Serbinë, përkatësisht “strukturat kriminale” të organizuara prej vetë saj, ndërsa Serbia Kosovën.

“Sundimi i ligjit është parakusht i zgjedhjeve të lira e demokratike, së bashku me fushatë zgjedhore të hapur dhe fer”, thotë për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

“Grupet kriminale dhe ekstremiste duhet ose të arrestohen për sulmet e tyre, ose le të ikin në Serbi – prej nga edhe kanë ardhur jo pak prej tyre”, thotë ai.

Kryeziu thotë, po ashtu, se në zgjedhjet e reja do të duhej të sigurohej pjesëmarrja e serbëve edhe si votues, edhe si kandidatë.

Zgjedhjet e prillit janë bojkotuar nga komuniteti serb dhe përfaqësuesit e tij politikë me justifikimin se kërkesat e tyre për më shumë autonomi, nuk janë përmbushur.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – është duke kushtëzuar sërish pjesëmarrjen në zgjedhje me tërheqjen e njësisë speciale të Policisë së Kosovës nga pjesa veriore e vendit dhe me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, në bazë të Marrëveshjes së Brukselit.

“Çështjet me prioritet që duhet të zgjidhen për të shtensionuar situatën në terren, e që janë edhe kërkesa të serbëve në veri të ‘Kosovës dhe Metohisë’, janë: largimi i forcave speciale të [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti nga ndërtesat komunale në veri; kryetarët e rrejshëm që nuk kanë legjitimitet dhe ligjshmëri, të mos vijnë në këto objekte, sepse nuk i kanë zgjedhur qytetarët, dhe të lirohen të arrestuarit padrejtësisht, Radosh Petroviq dhe Dushan Obrenoviq”, thotë për Radion Evropa e Lirë nënkryetari i Listë Serbe, Igor Simiq.

Petroviq dhe Obrenoviq janë arrestuar më 29 maj, kur protestuesit serbë janë përleshur me ushtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Ata akuzohen për veprat penale: “bashkim për veprime kundërkushtetuese, me qëllim të sulmit mbi rendin kushtetues të Kosovës, rrezikimit të personave nën mbrojtje ndërkombëtare” dhe për “sulm ndaj zyrtarëve”.

Edhe Aleksandar Arsenijeviq, nga Iniciativa qytetare “Mbijetesa Serbe” në Kosovë, konsideron se tërheqja e forcave speciale të Kosovës është e nevojshme përpara mbajtjes së zgjedhjeve.

“Të tërhiqen forcat speciale nga veriu, t’i kthehen përgjegjësitë popullatës vendase, të fillojë formimi i Asociacionit të komunave [me shumicë] serbe dhe, ngadalë dhe gradualisht, me formimin e Asociacionit, njerëzit të kthehen në institucione. Dhe, në fund, të mbahen zgjedhjet, në të cilat do të merrte pjesë Iniciativa qytetare ‘Mbijetesa Serbe’”, thotë Arsenijeviq për Radion Evropa e Lirë.

Kosova, tash e dhjetë vjet, refuzon ta themelojë Asociacionin me arsyetimin se do të ndikonte negativisht në funksionalitetin e brendshëm të shtetit.

Pas trysnisë së vendeve ndërkombëtare, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shpalosur vizionin e tij për t’i dhënë një nivel të caktuar vetëmenaxhimi komunitetit serb, ndërsa pala serbe ka dalë, po ashtu, me draft-statutin e Asociacionit. Prishtina dhe Beogradi janë duke i vazhduar negociatat për këtë temë.