Kosova nënshkruajti marrëveshje për shërbime ajrore me Malin e Zi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abzoviq, raporton Anadolu.

Kurti dhe Abazoviq fillimisht kanë zhvilluar një takim dhe më pas nënshkruan marrëveshjen për shërbime ajrore midis dy qeverive.

Kryeministri Kurti në fjalën e tij tha se Mali i Zi e njohu pavarësinë e Kosovës që në shpalljen e saj në vitin 2008 dhe sot “punojmë ngushtë si dy shtete fqinje për të promovuar paqen, sigurinë dhe prosperitetin në rajonin tonë”.

Duke folur për marrëveshje e nënshkruar me homologun e tij malazez Abazoviq, Kurti tha se është një hap i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për rregullimin e hapësirës ajrore mes dy republikave.

“Marrëveshja që nënshkruam sot ofron mundësi të reja të zhvillimit të aviacionit civil, mundëson shkurtimin e rrugëve ajrore dhe të kohës së fluturimit për 15 minuta. Një kompani ajrore që ka fluturuar katër herë në ditë, me këtë marrëveshje lehtësisht mund ta shtojë edhe një fluturim. Pastaj zvogëlon emetimin e gazrave të dëmshme si dhe ulë koston e fluturimeve të cilat ndikojnë në çmim të biletave për udhëtarët”, theksoi Kurti.

Dritan Abazoviç dhe Albin Kurti, foto: Anadolu Agency
Dritan Abazoviç dhe Albin Kurti, foto: Anadolu Agency pritur në takim kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abzoviq. Kurti dhe Abazoviq fillimisht kanë zhvilluar një takim dhe më pas nënshkruan marrëveshjen për shërbime ajrore midis dy qeverive. ( Erkin Keçi – Anadolu Agency )

Ai tha se deri më tani korridoret hyrëse dhe dalëse ekzistuese midis Malit të Zi dhe Kosovës shfrytëzoheshin vetëm për fluturimet ushtarake të NATO-s dhe jo ato komerciale ndërsa me marrëveshjen e nënshkruar hapet mundësia për fluturimin e kompanive ajrore.

Kurti tha se krahasuar me vitin 2021, në vitin 2022 eksportet e Kosovës në Malin e Zi janë rritur për 55 për qind ndërsa janë regjistruar mbi gjysmë milioni hyrje-dalje të qytetarëve në pikat kufitare me Malin e Zi, pa llogaritur hyrjet nëpërmjet Shqipërisë.

Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, falënderoi kryeministrin Kurti “për mikpritjen e jashtëzakonshme” derisa theksoi se Mali i Zi dhe Kosova po japin shembull rajonal se si duhet të bashkëpunohet.

Abazoviq tha se fokusi i raporteve midis të dyja vendeve do të jetë në bashkëpunim ekonomik, transportin më të lehtë të banorëve, për të cilat tha se do t’i quante historike.

Duke folur shkurtimisht për këto projekte, ai përmendi ndërlidhjen e Plavës me Deçanin me një tunel që do t’i lidhë të dyja zonat dhe përmirësimi i infrastrukturës rrugore midis Pejës dhe Rozhajës.

“Ajo çfarë është ideja jonë, është që të krijojmë një akses shumë më të lehtë për qytetarët e të dy vendeve. Nëse krijojmë një akses më të mirë, më të lehtë, atëherë edhe shkëmbimi edhe mallrat edhe qytetarët dhe bizneset do të jenë më intensive dhe kjo do të krijonte një atmosferë shumë më të mirë rajonale. Ne vijmë me një mesazh paqësor, me mesazh miqësor dhe edhe në të ardhmen do të mundohemi të krijojmë një atmosferë të mirë rajonale”, theksoi Abazoviq.

Abazoviq tha se Kosova edhe Mali i Zi vitin e kaluar kanë treguar se në dy shtylla kryesore: me sundimin e ligjit dhe në ekonomi, kanë pasur shumë suksese.

Kryeministri në detyrë malazez para takimit me kryeministrin Kurti është pritur nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama nga i cili ka pranuar “Çelësin e Prishtinës”.

Abazoviq i cili po qëndron për vizitë zyrtare për herë të parë në Kosovë do të pritet nga udhëheqës institucionalë, krerë të partive politike opozitare. Gjithashtu do të vizitojë biznese, objekte fetare dhe do të pranojë çmimin “Honoris Causa” nga një universitet privat.