Kosova e shpalli “non grata” drejtorin e Telekom Serbisë, Vlladimir Luçiq
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e ka shpallur shtetasin serb dhe drejtorin e Telekom Serbia, Vlladimir Luçiq, person të padëshirueshëm (non grata), duke i ndaluar përgjithmonë hyrjen, kalimin transit dhe qëndrimin në territorin e Republikës së Kosovës, transmeton Portalb.mk.
Sipas vendimit, Luçiqi është ndaluar për shkak të deklaratave të tij publike, të cilat përbëjnë kërcënim për sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Kosovës.
Në arsyetimin e vendimit thuhet se ai, përmes deklaratave publike, ka promovuar dhe mbështetur politika e aktivitete që sfidojnë kompetencat sovrane të institucioneve të Kosovës në sektorë me rëndësi strategjike, përfshirë komunikimet elektronike dhe infrastrukturën e telekomunikacionit.
Po ashtu, MPB-ja ka vlerësuar se Luçiqi ka propaganduar kundër sovranitetit dhe rendit kushtetues të Kosovës, ndërsa “deklaratat e tij përbëjnë kërcënim për vendin duke nxitur gjuhë të urrejtjes dhe destabilizim”.
Këtë javë, mediat serbe raportuan se Luçiqi kishte njoftuar hapjen e gjashtë objekteve të reja të Telekom Serbia në Kosovë, si dhe investime të reja për përmirësimin e rrjetit të telefonisë fikse në zonat e banuara me serbë.
Vladimir Luçiq është një nga menaxherët më të fuqishëm dhe më me ndikim në sektorin e telekomunikacionit në Evropën Juglindore. Si drejtues shumëvjeçar i “Telekom Srbija”, ai udhëheq strategjinë korporative për zgjerim në rajon.
Luçiq konsiderohet strateg jashtëzakonisht i afërt me presidentin serb Aleksandar Vuçiç.
Ai konsiderohet arkitekti kryesor i hyrjes së kapitalit shtetëror serb në sektorin maqedonas të telekomunikacionit dhe medias.
Strategjia korporative e Luçiqit në Maqedoninë e Veriut ka krijuar tashmë një perandori të fuqishme dhe të shtrirë biznesore-mediatike, përmes së cilës kontrollohet drejtpërdrejt një pjesë e konsiderueshme e tregut.