Qindra banorë evakuohen nga rajoni rus Voronezh, pas zjarrit në një depo armësh
Një zjarr i madh në një depo armësh ka bërë që autoritetet lokale t’i evakuojnë rreth 600 banorë nga rajoni Voronezh në jugperëndim të Rusisë, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Guvernatori Aleksandr Gusev tha në Telegram se zjarri në qarkun Ostrogoz të këtij rajoni u shkaktua nga rënia e dronëve të shkatërruar mëngjesin e së shtunës.
Ai tha se banorët e disa vendbanimeve u evakuuan në vende të sigurta dhe shtoi se nuk ka të lënduar.
Disa video që u postuan në rrjetet sociale shfaqën një zjarr të madh. Në to u dëgjuan qartazi edhe disa shpërthime.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, duke raportuar për dronët ukrainas që u rrëzuan mbi rajonet jugperëndimore të vendit, Belgorod dhe Kursk, nuk përmendi sulmet me dronë në rajonin Voronezh.
Gusev njoftoi në fund të gushtit evakuimin e rreth 60 banorëve nga Ostrogozi i rajonit Voronezh, pasi rrëzimi i dyshuar i dronëve shkaktoi zjarre dhe shpërthimin e eksploziveve që zgjatën dy ditë.
Në Ukrainë, Forcat e Mbrojtjes Ajrore raportuan më 7 shtator se janë duke bërë përpjekje të mbrohen në gjithë vendin nga sulmet masive ruse.
Sipas tyre, 67 dronë me rreze të gjata veprimi u rrëzuan gjatë mbrëmjes.
Mbrëmjen e 6 shtatorit u vra një person në qytetin juglindor Pavlohard të rajonit Dnipropetrovsk, si pasojë e sulmeve raketore, ndërsa 64 të tjerë u plagosën.
Forcat ruse janë duke carë përpara në drejtim të qytetit strategjik Pokrovsk në rajonin Donjeck të Ukrainës, ku ekipi i shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë nga afërsia e vijës së frontit e xhiroi fshatin Novohrodivka duke u djegur.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, marrin pjesë në takimin e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës në bazën ajrore Ramstein në Gjermani, 6 shtator 2024.
Lexoni edhe këtë:
Zelensky u lutet aleatëve për më shumë armë
Tre njerëz u vranë dhe tre të tjerë u plagosën në Kostiantynivka, që ndodhet në verilindje të Pokrovsk, thanë autoritetet rajonale më 7 shtator.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, më 6 shtator u bëri thirrje partnerëve aleatë në një takim të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës në Gjermani ta lejojnë Ukrainën t’i përdorë armët e tyre për të goditur më thellë brenda tokës ruse.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha pas takimit se asnjë armë e vetme ushtarake nuk është vendimtare për Ukrainën për t’u mbrojtur nga pushtimi i plotë rus, dhe se përdorimi i armëve amerikane për sulme thellë brenda në Rusi nuk do ta kthente luftën në dobi të Ukrainës.