Komunës së Tetovës sot i doli problem me largimin e uzurpuesve të hapësirave publike

Inspektorati Komunal i Tetovës sot gjatë aksionit të largimit të objekteve që kanë uzurpuar pronën publike u përball me rezistencë nga personi i cili shfrytëzon kioskën në pronë publike afër Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Nikolla Shtejn” i njohur ndryshe si “Tuci”, raporton Portalb.mk.

Zëdhënësja e Komunës së Tetovës, Besarta Ramadani theksoi se personi i cili shfrytëzon kioskën në pronë publike afër shkollës së mesme të mjekësisë, nuk ka respektuar vendimin e Inspektoratit të Komunës së Tetovës për të larguar materialin që ka brenda.

“Ai po ashtu nuk ka asnjë dokument për pronën ose leje për objektin në fjalë”, tha Ramadani.

Nga Komuna e Tetovës theksuan se policia e Tetovës, vazhdon të bojkotojë punën e Inspektoratit Komunal edhe përkundër faktit që vazhdimisht është njoftuar për aksionin në fjalë.

“Ata qëndruan si spektator duke mos ndërhyjë aspak për të siguruar kushte inspektoratit që të kryhet aksioni ashtu siç e parashikon Ligji. Policia e Tetovës, vazhdon të jetë nën ndikimin politik të BDI-së, e cila me çdo kush tenton të pengojë punën e kryetarit të qytetit dhe të komunës e cila gjithnjë e më shumë po merr mbështetjen e qytetarëve”, thanë nga Komuna e Tetovës.

Komuna edhe dje vazhdoi me aktivitetet për largimin e objekteve pa leje në hapësirat publike në rrugën “Dimo Gavrovski Kara” të cilat shfrytëzoheshin për biznese të ndryshme, pa përcjellje të policisë.

Sektori për Punë të Brendshme i Tetovës dje theksoi se janë të zënë me punë të tjera këtë periudhë dhe se për këtë kanë kërkuar nga Komuna që të shtyjë aksionin për dislokimin e objekteve.

“SPB Tetovë kategorikisht i hedh poshtë si të pavërteta dhe tendencioze akuzat e bëra nga Komuna e Tetovës në disa media se qëllimisht refuzon sot (25 dhjetor) dhe nesër (26 dhjetor) të ofrojë ndihmë për largimin e objekteve të përkohshme në zonën qendrore të qytetit, dhe për këtë ka paraqitur më parë kërkesë zyrtare me shkrim. Në takimin e mbajtur me përfaqësuesit e Komunës së Tetovës më 20 të këtij muaji, u është shpjeguar në mënyrë të detajuar se pse SPB Tetovë nuk është në gjendje t’u japë ndihmë dhe është kërkuar që aktivitetet e planifikuara të shtyhen për muajin e ardhshëm. Kjo për faktin se SPB Tetovë me kapacitet të plotë (burime njerëzore dhe teknike) aktualisht është e angazhuar në realizimin e disa aktiviteteve në sferën e sigurisë në fushën e komunikacionit, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike e të tjera, ndër të tjera, si rezultat i rritjes së ndjeshme të numrit të njerëzve dhe automjeteve, veçanërisht pas ardhjes së një numri të madh nga jashtë”, tha dje Marijan Josifovski, zëdhënës i SPB Tetovë.

Ai theksoi se SPB Tetovë gjatë këtij viti ka ndihmuar Komunën e Tetovës në 11 aktivitete komunale.

Komuna e Tetovës thekson se lirimi hapësirave publike do të vazhdojë edhe ditëve në vijim, ndërkaq periudhën e fundit Inspektorati Komunal ka intensifikuar aktivitetet për largimin e objekteve pa leje në hapësirat publike në disa pjesë të qytetit.