Komunat në RMV dhe organizatat joqeveritare do të mund të aplikojnë për 3.7 milionë euro në projekte ekologjike
Gjithsej 229 milionë denarë ose 3,7 milionë euro do të shpërndahen nga Ministria e Mjedisit për komunat, organizatat joqeveritare apo institucionet arsimore dhe shkencore që do të aplikojnë për Programin e ri për investime në mjedisin jetësor për vitin 2025. Ministri i Mjedisit Izet Mexhiti sot në konferencë për media promovoi programin,dhe bëri të ditur se mjetet e parashikuara nga taksa ekologjike për regjistrimin e mjeteve motorike janë të ndara në katër kategori dhe afati i aplikimit është tre javë, transmeton Portalb.mk.
Njëqind milionë denarë janë të dedikuara për përgatitjen e dokumentacionit teknik për sistemet e kanalizimit dhe impiantet për trajtimin e ujërave të zeza, 100 milionë për përgatitjen e dokumentacionit teknik për ujësjellës, dhjetë milionë për projekte zhvillimore arsimore dhe kërkimore, dhe 19 milionë për ngritjen e vetëdijes publike, edukimin dhe trajnimin për mjedisin jetësor.
“Mjetet janë të destinuara për komuna, shoqata, persona juridikë dhe fizikë, organizata joqeveritare, institucione shkencore dhe arsimore. Shuma sigurohet nga vjelja e taksës ekologjike me regjistrimin e mjeteve motorike dhe këtë vit është dyfishuar në krahasim me vitet e kaluara. Afati i aplikimit për të gjithë të interesuarit është tre javë, dhe formularët mund të gjenden në ueb-faqen e Ministrisë. Të gjitha aplikimet do të shqyrtohen nga një komision dhe rezultatet do të publikohen në ueb faqen e ministrisë”, tha Mexhiti.
Ai u bëri thirrje të gjitha kompanive teknologjike dhe startup që të aplikojnë me zgjidhje inovative për përmirësimin e mjedisit dhe vuri në dukje se kjo është një mundësi dhe mbështetje për të gjithë ata që kanë kapacitet dhe dëshirë të kontribuojnë për ujë më të pastër, tokë më të shëndetshme, biodiversitet dhe ndërgjegjësim për mjedisin jetësor. Mexhiti bëri të ditur se ekzistojnë lloje të veçanta formularësh dhe shabllonesh për aplikantë të ndryshëm, për të lehtësuar procesin e aplikimit dhe për të siguruar qasje të drejtë.
Kujtojmë se në shkurt të këtij viti, Qeveria e Maqedonisë së Veriut njoftoi do të ndihmojë komunat edhe me 15 miliard denarë për investime kapitale, duke e vlerësuar si investimi më i madh në histori nga pushteti qendror.
“Bëhet fjalë për thirrjen e dytë publike për shfrytëzimin e mjeteve prej atyre 15 miliard denarëve që Qeveria i ka vënë në dispozicion të komunave. E përsëritim, deri 15 miliard denarë do të jetë vlera e thirrjes së dytë. Por, kjo nuk nënkupton se të gjitha mjetet do të shfrytëzohen gjatë këtij viti fiskal”, raportoi Qeveria e RMV-së.
Projektet do të mund të përfshihen edhe në tri vite buxhetore, pra deri në vitin 2027-të, edhe në institucione si shkollat, çerdhet, parqe, ujësjellës dhe kanalizime.
Ndryshe, në thirrjen e parë janë marrë 288 projekte nga 78 komuna në vlerë prej 4.5 miliard denarë, ndërsa përmes Ministrisë për transport janë miratuar 800 milionë denarë.