Komandanti suprem i forcave aleate të NATO-s për Evropën, gjenerali Grinkeviç, vizitoi pjesëtarët e Armatës në Shkup
Komandanti suprem i forcave aleate të NATO-s për Evropën (SACEUR), gjenerali Aleksus G. Grinkeviç, në prani të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, gjeneralmajor Sashko Lafçiski, sot vizitoi pjesëtarët e Armatës në kazermën “Ilinden” në Shkup. Gjatë fjalimit para ushtarakëve të pranishëm, gjenerali Grinkeviç theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në aleancën më të fuqishme në histori. Ai vlerësoi si të jashtëzakonshëm kontributin e vendit në zbatimin e planeve rajonale, pjesëmarrjen në përbërjen e forcave tokësore të avancuara të NATO-s, si dhe në misionin KFOR, duke theksuar se këto rezultate janë fryt i përkushtimit, modernizimit dhe përmbushjes së objektivave për zhvillimin e kapaciteteve, transmeton Portaln.mk.
Në fjalën e tij, gjenerali Grinkeviç u dërgoi edhe një mesazh pjesëtarëve të Armatës:
“Të gjithë së bashku duhet të jemi të përgatitur. Duhet të stërviteni fort. Duhet të studioni luftërat e së tashmes dhe të së kaluarës për të qenë të gatshëm për konfliktet e së ardhmes. Duhet të mendoni për ndryshimet në karakterin e luftës që po shohim në fushëbetejat moderne dhe të përshtateni me realitetet e reja me të cilat mund të përballemi së bashku në të ardhmen.”
Duke folur për anëtarësimin në Aleancë, ai shtoi: “Jam jashtëzakonisht krenar që shërbejmë së bashku.”
Në kuadër të vizitës, gjenerali Grinkeviç pati mundësinë të njihej nga afër me armatimin, pajisjet dhe mjetet që disponon Armata, si dhe të ndiqte ushtrime taktike, duke u bindur për gatishmërinë e pjesëtarëve të saj për zhvillimin e operacioneve luftarake në mjedise të ndërlikuara dhe dinamike kundër llojeve të ndryshme të kundërshtarëve.
Gjatë deklaratave për media, gjeneralmajori Sashko Lafçiski shprehu kënaqësinë për vizitën, duke theksuar:
“Kjo vizitë është një tjetër konfirmim i përkushtimit tonë të qartë ndaj mbrojtjes së vlerave të përbashkëta dhe besimit që po ndërtojmë brenda Aleancës. Për ne, anëtarësimi në NATO nuk është vetëm garanci sigurie, por edhe detyrim për të kontribuar aktivisht në mbrojtjen kolektive dhe stabilitetin e hapësirës euroatlantike”.
Lafçiski shtoi se Armata e Maqedonisë së Veriut sot është moderne, e pajisur mirë dhe e trajnuar në nivel të lartë.
“Ky nuk është vetëm vlerësimi ynë, por një vlerësim objektiv dhe i konfirmuar përmes një sërë kontrollesh rigoroze të personelit, pajisjeve dhe procedurave. Dëshmi për këtë janë vlerësimi i NATO-s për Grupin e Lehtë të Këmbësorisë në kuadër të stërvitjes ‘BLESOK 26’, si dhe vlerësimi i NATO-s për elementet luftarake të operacioneve speciale”, tha ai.
Edhe gjenerali Grinkeviç, në deklaratën e tij për mediat, theksoi se:
“Republika e Maqedonisë së Veriut është një aleate shumë e vlerësuar.”
Ai shtoi se vendi ka rol kyç në ruajtjen e stabilitetit të Ballkanit Perëndimor, një rajon me rëndësi strategjike për NATO-n, dhe falënderoi Maqedoninë e Veriut për kontributin e saj në misionet e udhëhequra nga NATO në KFOR dhe në krahun lindor të Aleancës.
Me aktivitetin e sotëm në kazermën “Ilinden” në Shkup, ku morën pjesë gjeneralë të Armatës, përfaqësues të lartë të NATO-s, si dhe komandantë të komandave dhe njësive të Armatës, përfundoi vizita zyrtare e Komandantit Suprem të Forcave Aleate të NATO-s për Evropën.
Kujtojmë se në periudhën nga 9 deri më 11 qershor, në Shtëpinë e ARM-së në Shkup, u mbajt Konferenca e dytë për trajnim të përbashkët për mjetet e blinduara luftarake “Strajker”. Në konferencë morën pjesë përfaqësues nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (Garda Kombëtare e Uashingtonit, Ushtria e SHBA-së për Evropë dhe Afrikë, Komanda e 7-të e Ushtrisë për Trajnim dhe Regjimenti i 2-të i Kalorësisë), përfaqësues nga Republika e Bullgarisë, Grupi Ushtarak Amerikan në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Zyra e atasheut të mbrojtjes së SHBA-së.