Kodra e territ 

Koment nga gazetari Fisnik Xhelili

E kemi quajtur Kodra e Diellit, por përveç diellit që i jep dritë dhe shkëlqim këtij thesari malor në zemër të Sharrit, gjithçka tjetër aty është në errësirë, sepse ata që duhet ta bëjnë që kjo të shkëlqejë e kanë zhytur në fund të humnerës ku “drita” fare pak depërton.

Natyra na ka falur një nga atraksionet dhe vendet më të mira malore anekënd globit. Por këtu, në vendin e çudirave, nuk do ishte ndryshe përveç se shkatërrim i saj dhe mosçarja e kokës për ta zhvilluar atë dhe për ta vendosur në top atraksionet turistike përsëri.

Sot, ky atraksion turistik është në gjendje të mjerueshme. Aspak investime, infrastrukturë e shkatërruar, kaos urbanistik, ndërtime pa leje kujt ku t’i teket e shumë prej tyre funksionarë, mbeturina dhe shumë e shumë të tjera. Askush nuk po e merr nismën që të zgjidh këto probleme të shtresuara me dekada tani më.

A ka funksionuar? Gjenratat më të vjetëra tregojnë se ka funksionuar shumë mirë dhe ka qenë një nga top destinacionet e skijimit, ka pasur edhe teleferik që sot është jofunksional. Sot në vend që kjo të zhvillohet, ka regres, qenra po shkatërrohet. Të them të drejtën i kam besuar deri në një farë pike por përsëri kisha dyshimet e mia, derisa dikush nga shumë larg që as nuk e mendoja të më tregonte për këtë vend.

Para shtatë viteve, diku nga fundi i janarit 2017 teksa kthehesha në Maqedoni të Veriut nga një prej aeroporteve në afërsi kryeqytetit norvegjez, gjatë kontrollit të pasaportës, polici që punonte aty e pa se te vendlindja më shënonte Tetova. Kjo fjalë i kishte mjaftuar që t’i riktheheshin kujtimet e para shumë viteve kur kishte vizituar këtë qytet dhe Kodrën e Diellit. Kështu filloi të më rrëfejë se para shumë viteve kishte qenë për skijim në Kodrën e Diellit dhe ende e kujtonte me nostalgji atë kohë, atë bukuri të rrallë që kishte parë dhe siç më tha “keni vendin më të mirë për skijim”. Po tani si është atje? Më pati pyetur. Aso kohe isha edhe shumë i ri në moshë dhe ndoshta nuk dija të ja sqaroja mirë se me çfarë problemesh përballet ky vend, por pa diskutim dija t’i thosha që Kodra e Diellit nuk është ajo e dikurshmja për të cilën më fliste ai, me shumë keqardhje mu desh t’i thosha se Kodra është shkatërruar.

Tani, kjo qendër turistike është lënë në mëshirë të fatit dhe individëve dhe nismave vullnetare që me vetëiniciativë shpesh mundohen të rregullojnë diçka, pasi autoriteteve nuk ju bëhet vonë fare, po fare për këtë dhuratë që na ka falur natyra të cilën shumë vende do e donin.

Sot, shumë më mirë se para shtatë viteve i kuptoj problematikat me të cilat po ballafaqohet kjo qendër, pasi tani gati tre vite në vazhdimësi po e ndjek këtë si problematikë nga perspektiva gazetareske, dhe pavarësisht se shpesh ndoshta bëhemi të bezdisshëm për masën në lidhje me raportimin mbi këtë temë, kjo vazhdon të mbetet ndër temat që kam më për zemër për të raportuar dhe për të nxjerrë në pah edhe ata problematika që nuk duken.

Një mike e imja e tani më ka krijuar edhe thënien e cila përkufizon shumë qartë atë se çfarë po ndodh në Kodër. “Ata nuk e duan?! Kurse ne çdo ditë e më tepër”. Pavarësisht gjendjes së mjerueshme, qytetarët vazhdojnë ta duan këtë vend. Por e kotë, derisa nuk ka vullnet institucional vështirë se arrihet progres. Madje sot nuk janë as investimet që dikur janë bërë, teleferiku i cili dikur ishte funksional sot nuk është askund ndërsa shumëçka është shkatërruar.

Autoritetet vazhdimisht, sidomos viteve të fundit kanë pasur shumë fjalë për këtë pikë turistike, por vepra në teren as(pak). Së fundmi u njoftua se ka investitor të huaj të interesuar për këtë atraksion turistik, por ende asgjë konkrete, as marrëveshje dhe pak informacione, pasi institucionet “heshtin”, pavarësisht se qytetarëve u intereson.

Është mbushur kupa tani më, kjo gjendje duhet të ndryshohet, dikush duhet të merr përgjegjësinë dhe ta bëjë këtë realitet, të ndryshohet gjendja e Kodrës së Diellit.

Se për pak desh harrova, sigurisht që kjo do ndryshojë shumë shpejtë, gjithçka do përmirësohet dhe do i rikthehet shkëlqimi, vetëm në fjalimet dhe programet pa realizim të partive politike në zgjedhjet që po afrojnë, sepse pas tyre e kemi mësuar përmendësh këngën e cila do këndohet katër vite të tjera dhe pastaj përsëri nga fillimi.

Terr në Kodrën e Diellit!

Editoriale të tjera nga autori mund të lexoni KËTU.