Kocevski vlerësoi se komisioni hetimor në Kuvend për rastin e Koçanit mund ta komprometojë procesin gjyqësor
Prokurori i shtetit, Ljupço Kocevski, konsideron se në Kuvend nuk duhet të ketë komision hetimor për zjarrin në të ashtuquajturin kabare “Puls” në Koçan, sepse, siç thotë ai, në këtë mënyrë mund të komprometohet procedura gjyqësore që është në zhvillim, transmeton Portalb.mk.
Siç tha Kocevski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve para fillimit të seancës së sotme të Këshillit të Prokurorëve Publik, ku ai është anëtar me detyrë zyrtare, ai qëndrimin e tij për komisionin hetimor ia ka komunikuar me shkrim edhe kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi.
“Sa i përket formimit të komisionit hetimor, pata edhe një kërkesë zyrtare nga kryetari Gashi dhe unë u deklarova me shkrim. Personalisht, vlerësoj se në këtë fazë nuk duhet të ketë komision hetimor, duke pasur parasysh se disa prova dhe dëshmitarë mund të komprometohen, meqë është në rrjedhë një procedurë gjyqësore, ndërsa ajo që kërkohej nga kryetari i Kuvendit përfshinte pothuajse të njëjtat çështje për të cilat Prokuroria Publike po zhvillon procedurë”, tha Kocevski.
Për këto arsye, shtoi ai, vlerëson se në këtë moment nuk është e qëllueshme të zhvillohen dy procedura paralele.
Ndryshe, pyetja për Kocevskin u shtrua në kontekst të seancës së sotme të Komisionit të Përhershëm Anketues për të Drejtat e Njeriut, si dhe dilemave të vazhdueshme të prindërve të viktimave në “Puls” nëse hetimi i Prokurorisë Publike është i gjithanshëm, duke pasur parasysh se ende nuk ka aktakuzë për zyrtarët policorë të dyshuar.
Prokurori i shtetit nuk pajtohet se procedura e Prokurorisë ka qenë e paplotë dhe jo bindëse dhe se për këtë arsye tani ka iniciativë që të kërkohen përgjigje përmes një komisioni hetimor në Kuvend.
“Nuk do të thosha kështu, e dini edhe vetë se ishte shumë e gjerë, u angazhuan shumë prokurorë dhe u soll një vendim prokurorial kundër të pandehurve që tani janë të përfshirë në aktakuzë”, tha ai.
Përndryshe, përveç Komisionit të Përhershëm Anketues për të Drejtat e Njeriut, i cili po mban seancë sot, Kuvendi javën e kaluar votoi me shumicë formimin e një komisioni ad hoc, i cili përveç tragjedisë në Koçan do t’i shqyrtojë edhe rastet me zjarrin në spitalin modular në Tetovë dhe dy aksidentet e autobusëve të “Durmo Tours” dhe “Besa Trans”.
Zjarri në Koçan shpërtheu natën e 15-16 marsit, duke rezultuar me 63 viktima dhe duke plagosur pothuajse 200 të tjerë.