Koalicioni për gjykim të drejtë: Këshilli Gjyqësor emëron në mënyrë të paligjshme ushtrues detyre të kryetarëve të gjykatave

Koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë” ka reaguar se Këshilli Gjyqësor emëron ushtrues detyre të kryetarëve të gjykatave në kundërshtim me Ligjin për Gjykatat. Sipas organizatës civile, Këshilli Gjyqësor po shfrytëzon një zbrazëtirë ligjore në ligjin e tij për të emëruar u.d. kryetarë pa u respektuar kushtet ligjore dhe pa kufizim të mandatit të tyre, transmeton Portalb.mk.

Nga Koalicioni theksojnë se Ligji për Gjykatat përcakton qartë se kush mund ta zëvendësojë kryetarin e gjykatës në rast të pengesës ose përfundimit të mandatit. Sipas këtij ligji, këtë detyrë duhet ta marrë një gjyqtar nga radhët e gjyqtarëve të së njëjtës gjykatë, sipas renditjes së përcaktuar me orarin vjetor të punës.

Në vend të kësaj, Këshilli Gjyqësor i referohet Ligjit të tij për Këshillin Gjyqësor, ku ekziston një dispozitë për emërimin e u.d. kryetarit, por pa kritere dhe afate të përcaktuara.

Koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë” thekson se kjo zbrazëtirë i mundëson Këshillit Gjyqësor të emërojë drejtues të gjykatave sipas bindjes së tij, duke anashkaluar procedurat e rregullta të zgjedhjes.

Me këtë praktikë ata theksojnë se anashkalohen kushtet ligjore për kandidatin për kryetar gjykate, si përvoja e nevojshme gjyqësore dhe vlerësimi i punës, ndërsa personave të emëruar u jepet mandat i pakufizuar.

Organizata kërkon që Këshilli Gjyqësor të ndalojë praktikën e emërimit të u.d. kryetarëve në kundërshtim me Ligjin për Gjykatat.