Klinika greke për IVF rekrutojnë paciente në hotelet e Shkupit, në kufi me ligjin

Pas dyerve të mbyllura të hoteleve luksoze në qendër të Shkupit, vetëm 5 minuta në këmbë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Inspektorati Shtetëror Shëndetësor dhe Sanitar dhe 5 minuta të tjera në këmbë nga Ministria e Punëve të Brendshme, po zhvillohet një rrjet “konsultash mjekësore” që ngre dyshime serioze për anashkalimin e ligjeve të Maqedonisë lidhur me in vitro-n, gjegjësisht fertilizimin e asistuar biomjekësor. Hulumtimi i kryer nga Slloboden Peçat nxjerr në pah se klinikat greke të riprodhimit të asistuar me ndihmën e ndërmjetësve nga vendi organizojnë takime me gra nga Maqedonia që luftojnë me infertilitetin – jo nëpër institucione shëndetësore, por nëpër salla të hoteleve në Shkup, transmeton Portalb.mk.

Sipas burimeve të shumta me njohuri të drejtpërdrejta lidhur me këto evente, por edhe sipas thirrjeve publike në rrjetet sociale Facebook dhe Instagram të dokumentuara me video materiale, “konsultat” caktohen me mjekun nga Greqia pa pasur ai licencë të lëshuar nga Oda e Mjekëve për ta ushtruar profesionin e tij në Maqedoni. Të gjitha institucionet shëndetësore në Maqedoni që u kontaktuan thanë se ofrimi i konsultave mjekësore është një shërbim mjekësor, se në Maqedoni konsultimi i pacientëve lejohet vetëm në institucionet shëndetësore, jo në hotele, ndërsa personi që e bën këtë duhet të ketë një licencë të përkohshme nga Oda e Mjekëve. Nga klinikat greke thanë se, sipas tyre, konsultat e tyre nuk paraqesin praktikim të mjekësisë në Maqedoni.

Pasi Slloboden Peçat filloi të bëjë pyetje nëpër institucione, eventet e planifikuara në hotele filluan të anuloheshin në mënyrë misterioze, ndërsa takimet tashmë të caktuara të pacienteve në hotel u ndryshuan dhe atyre iu tha se ato do të mbaheshin online. Kjo u zbulua përmes diskutimeve publike në forume, ku pacientet një nga një filluan të publikojnë se ishin kontaktuar nga klinika greke me shpjegimin se për shkak të “rrethanave të paparashikuara” konsultat në Shkup anulohen.

Foto: Slloboden Peçat
Foto: Slloboden Peçat

Por, reklamat për këto konsulta të planifikuara në Hotel “Limak” për më 7 shkurt të vitit 2026, të cilat u ndanë në mediat sociale, disa prej të cilave gjithashtu janë “zhdukur” nga mediat sociale (por u regjistruan nga “Slloboden Peçat” para se të hiqeshin), i përshkruan këto si vende ku do të jetë i pranishëm një mjek që do të analizojë historitë mjekësore, ku do të diskutojë për plane për trajtimit të personalizuar dhe që do të japë informacion mbi teknologjitë më të fundit dhe shkallët e suksesit.

Sipas autoriteteve shëndetësore të Maqedonisë, shoqatave profesionale mjekësore për fertilizimin In vitro dhe përfaqësuesve të Odës së Mjekëve të cilët i kontaktoi Slloboden Peçat, aktivitetet e përshkruara në këtë mënyrë paraqesin një materie që rregullohet me Ligjin për Mbrojtje Shëndetësore të Maqedonisë dhe nuk mund të kryhen në këtë mënyrë. Me një hulumtim pak më të thelluar ekipi ynë editorial konstatoi se kjo nuk është hera e parë që Newlife IVF Greece me seli në Selanik kryen konsulta të tilla mjekësore në Maqedoni.

Sipas një videoje të postuar në rrjetet sociale konsulta të tilla ata kanë organizuar edhe vitin e kaluar në Hotel “Panoramika”. Atëkohë si të ftuar kryesor ata e njoftuan mjekun Dimitrios Dovas, i cili sipas informacionit që morëm nga Oda e Mjekëve, nuk ka kërkuar licencë nga Oda e Mjekëve as atëherë dhe as për eventin në 7 shkurt të këtij viti, që u planifikua e më pas u anulua. Në videon e 20 marsit të vitit 2025 një vajzë që prezantohet si Elena Najdoska, koordinatore për pacientët, i fton pacientet në konsulta mjekësore individuale falas me të dhe me doktor Dovas në Hotelin “Panoramika”.

Nga Oda e Mjekëve thonë se doktor Dimitrios Dovas nuk kishte licencë të përkohshme në Maqedoni as vitin e kaluar dhe as sot.

“Sipas Ligjit për Mbrojtje Shëndetësore mjekët nga jashtë vendi mund të ofrojnë shërbime shëndetësore në vendin tonë nëse janë plotësuar kushtet ligjore dhe nëse ka përfunduar procedura për konfirmimin e kualifikimeve të tyre profesionale, përkatësisht marrin licencë për të punuar në vendin tonë, gjë që në këtë rast nuk është bërë. Oda nuk është organ inspektues dhe nuk ka autorizim për të kryer kontrolle, jashtë institucioneve shëndetësore dhe mundësive ligjore, por u bën thirrje pacientëve që shërbime shëndetësore të kërkojnë vetëm në institucionet shëndetësore dhe t’i kontrollojnë me kujdes kualifikimet e mjekëve tek të cilët drejtohen, sidomos nëse ata nuk janë nga vendi ynë”, thanë nga Oda e Mjekëve.

Reklama në rrjetet sociale për eventin në 7 shkurt të këtij viti thotë:

Konsulta private falas për IVF në Shkup – Newlife IVF Greece. Data: 7 shkurt 2025 Ora: 10:00 – 20:00 Vendi: Hotel “Limak”, Shkup. A jeni duke menduar ta filloni udhëtimin tuaj me IVF? Ekipi ynë po vjen në Shkup për t’ju ofruar udhëzime dhe mbështetje nga ekspertë. Caktoni një konsultë mjekësore private dhe falas me Dr. Dimitrios Dovas, drejtor i klinikës, dhe Elena Najdoska, koordinatore ndërkombëtare e pacientëve. Kjë është mundësia juaj për të marrë përgjigje për pyetjet tuaja në një atmosferë diskrete dhe profesionale, pa pasur nevojë të udhëtoni për në Selanik. Çfarë mund të prisni në këtë takim:

  • Shqyrtim të historisë tuaj mjekësore.
  • Diskutim për plane të personalizuara për trajtim.
  •  Informacion mbi teknologjitë më të fundit dhe shkallët e suksesit.
  • Konsultim në gjuhën Tuaj me Elenën.
Foto: Slloboden Peçat
Foto: Slloboden Peçat

U drejtuam në Inspektoratin Shtetëror Shëndetësor dhe Sanitar (IShSSh) për të pyetur nëse konsultat e tilla janë të ligjshme.

“Sipas dispozitave të Ligjit për Mbrojtje Shëndetësore kryerja e veprimtarisë shëndetësore, përfshirë këtu edhe shërbimet për konsultim në çdo fushë të mbrotjes shëndetësore, lejohet vetëm në institucionet shëndetësore. Për këto arsye, kryerja e konsultave falas me shqyrtim të dokumentacionit mjekësor në objektet që nuk janë të regjistruara si institucione shëndetësore është e ndaluar. Sa i përket njoftimit në rrjetet sociale për konsulta falas për IVF nga një mjek nga Greqia të planifikuara për më 7 shkurt të vitit 2026, Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor do të kryejë një inspektim të jashtëzakonshëm në Hotel “Limak” dhe, bazuar në situatën e konstatuar, do të veprojë në përputhje me kompetencat ligjore”, u përgjigjën nga IShSSh.

U kontaktuan edhe vetë klinika në Selanik ku u pyetën se si e kanë rregulluar ligjërisht praninë e tyre të paralajmëruar në Hotel “Limak” më 7 shkurt. Prej tyre mësuam se nuk do të kishte nevojë që Inspektorati të shkonte në hotel më datën 7 shkurt, sepse ata i kishin anuluar konsultat. Anulimi ndodhi në të njëjtën kohë kur Slloboden Peçat filloi të kontaktonte institucionet për të marrë përgjigje. Sipas përgjigjes së klinikës, nuk bëhet fjalë për “konsulta mjekësore” (edhe pse kështu thuhet në reklamat e tyre), por për takime.

“NewLife IVF nuk do të mbajë asnjë lloj konsulte/takimi mjekësor ose të ndonjë lloji tjetër në Hotel “Limak” më 7 shkurt në Shkup. Takimet tona me pacientë potencialë jashtë vendit janë thjesht informative dhe pa pagesë dhe nuk janë konsulta mjekësore, siç do të ishte rasti nëse ai/ajo do t’i vizitonte ambientet tona në Selanik, ku ne i kryejmë të gjitha ekzaminimet e duhura mjekësore (p.sh. kontroll me ultrazë) për të mundur të konsultohemi në mënyrë efektive me pacientët tanë. NewLife IVF bën çmos për t’ju përmbajtur ligjit dhe nuk do ta shkelë atë në asnjë mënyrë”, deklaroi për drejtori kryesor operativ i klinikës, Ioannis C. Papaconstantinou.

Gjinekologët nga Maqedonia që merren me IVF e me të cilët folëm janë të zemëruar. Atyre nuk u pëlqen kjo praktikë, të cilën e konsiderojnë konkurrencë jolojale. Shteti, thonë ata, i rregullon në çdo mënyrë të mundshme, ata janë të detyruar t’i përmbushin të gjitha llojet e kushteve dhe presin që e njëjta gjë të bëhet edhe në rastet e klinikave të huaja që merren me IVF.

“Kjo është një praktikë mjekësore e paligjshme. Ndoshta, këto mjekë të respektuar janë të suksesshëm në klinikat e tyre, siç lexojmë dhe shohim, por sigurisht që askush nuk do të guxonte të shkonte në një vend të huaj për të bërë konsulta siç ti kujtohet. Konsultat janë praktikë mjekësore, dhënia e udhëzimeve për trajtimin e pacientëve është praktikë mjekësore. Nuk dyshoj në cilësinë e tyre mjekësore, por një mjek duhet ta dijë kufirin se ku dhe kur duhet ta zbatojë atë praktikë mjekësore. Unë absolutisht besoj se kjo bëhet edhe për arsye biznesi, e jo vetëm nga dëshira për t’i ndihmuar pacientët. Kam përvojë me pacientë që shkojnë në Selanik për fertilizim in vitro, ndërsa ekzaminimet e tyre ata i kryejnë në Maqedoni. Nga bisedat me ta ata thonë se atje shkojnë më shpesh për të kryer procedurë me vezë të dhuruara. Në Maqedoni ky proces është pak më i gjatë sepse presin leje nga Ministria e Shëndetësisë dhe nga MALMED, sepse kur punojmë me vezë të dhuruara ato vijnë nga banka të huaja. Tani, nuk do të spekuloja nëse ky proces, i cili duhet të jetë në mënyrë rigoroze i rregulluar me ligj, në Selanik është i shpejtë sepse anashkalohet ligji apo sepse kanë një zgjedhje të ndryshme të donatoreve, sepse unë nuk kam si ta di një gjë të tillë, tha doktoresha Tatjana Gurzhanova, specialiste dhe magjistre e riprodhimit të asistuar human nga klinika “Newborn” në Shkup.

Nga Shoqata për Mjekësi Riprodhuese Humane thanë se kërkojnë që autoritetet në Maqedoni ta zbatojnë ligjin për të gjithë.

“As Shoqata për Mjekësi Riprodhuese Humane dhe as Qendrat e IVF në Maqedoni nuk janë lidhur ose kontaktuar në lidhje me këto aktivitete dhe i kundërshtojnë këtë lloj shërbimesh shëndetësore të pakontrolluara, pa lejet përkatëse nga institucionet tona. Në fund të fundit, mjekëve në Maqedoni nuk u lejohet të ofrojnë kësi lloj shërbimesh jashtë vendit pa lejet përkatëse nga institucionet kompetente. Nga Oda e Mjekëve të Maqedonisë na informuan se kërkesa për leje për kësi lloj shërbimesh shëndetësore nuk janë në procedurë dhe as nuk janë kërkuar ndonjëherë dhe se si të tilla këto aktivitete të kryera jashtë institucioneve shëndetësore dhe pa lejet përkatëse konsiderohen shërbime shëndetësore në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Mbrojtje Shëndetësore. Aktivitetet organizohen përmes rrjeteve sociale dhe forumeve dhe nuk kemi më shumë informacion se ju në lidhje me personat që ju i theksoni si organizatorë. Duke mos hyrë më thellë në motivet dhe strukturën e pacientëve që do të rekrutoheshin përmes aktiviteteve të tilla, si dhe duke mos e mohuar të drejtën themelore të pacientëve për të zgjedhur një institucion për trajtim me shpenzimet e tyre, ne e theksojmë nevojën për kontroll mbi aktivitete të tilla”, tha profesori Gligor Dimitrov, kryetar i Shoqatës për Mjekësi Riprodhuese Humane.

Para disa ditësh, në një hotel në sheshin e Shkupit, në mediat sociale u promovua një aktivitet i ngjashëm nga një klinikë tjetër e fertilizimit in vitro nga Selaniku. Ne e kontaktuam këtë klinikë me pyetje lidhur me atë se si rregullohet ligjërisht prania e tyre.

Foto: Slloboden Peçat
Foto: Slloboden Peçat

“Klinika Embriolab konfirmon se organizojnë takime informative me palë të interesuara në Shkup. Këto takime janë të një natyre jo-klinike dhe jo-mjekësore dhe kanë për qëllim vetëm të ofrojnë informacion të përgjithshëm lidhur me trajtimet për fertilitet që ofrohen ekskluzivisht në mjediset e Klinikës Embriolab në Greqi. Sipas kornizës ligjore në fuqi këto takime nuk paraqesin praktikim të mjekësisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Gjatë këtyre takimeve nuk kryhen kurrfarë aktesh mjekësore, diagnostikim, trajtim ose nuk sillen vendime klinike. Çdo mjek i lidhur me Klinikën Embriolab që mund të marrë pjesë do ta bëjë këtë vetëm në një kapacitet informativ dhe këshillues, pa realizuar shërbime mjekësore. Nuk kryhen ekzaminime fizike dhe nuk kryhen kurrfarë procedurash mjekësore, tha Dimitris Petkousis, nga departamenti i marketingut dhe komunikimit të klinikës.

Ai shtoi se gjatë këtyre takimeve nuk shqyrtohen, ruhen ose përpunohen të dhëna mjekësore dhe nuk jepen rekomandime mjekësore ose plane trajtimi të personalizuara. Sipas tij, çdo vlerësim mjekësor ose planifikim për trajtim bëhet vetëm pasi pacientët ta vizitojnë Klinikën Embriolab në Greqi dhe në përputhje me ligjet dhe kërkesat rregullatore greke.