Në një takim me presidentin rus Vlladimir Putin, Patriarku serb Porfirije bëri thirrje për një riorganizim të ri gjeopolitik në të cilin Serbia do të bëhej pjesë e “botës ruse”.
“Kosova, Republika Srpska dhe Mali i Zi të integrohen në ‘botën serbe’ ose Serbi”. “Qëndrimi ynë për Kosovën, Republikën Srpska dhe Malin e Zi varet edhe nga qëndrimi i Rusisë në nivel global. Nëse do të ketë një përcaktim të ri gjeopolitik, dëshira ime dhe e shumicës në kishën tonë është që në të ardhmen të qëndrojmë pranë atij mjedisi rus, në ‘botën ruse’ në botën ortodokse”. – tha Patriarku serb Porfirije gjatë takmit me presidentin rus Vlladimir Putin në Moskë.
Në kohën e ndryshimeve të politikave të SHBA-së ndaj Ukrainës, Rusisë dhe Serbisë, sigurisht se pritej të ndryshonte edhe ingranazhi i propagandës ruso-serbe. Mund të duket e parëndësishme, por në terma realë të politikës ruse dhe serbe, situata aktuale, me ndihmën e Kishës Ortodokse serbe, ka qenë e hapur për komunitetin botëror, duke i bërë të njohura përfundimisht qëllimet e saj. Që tani e tutje, kisha në Serbi dhe Rusi nuk i fshehin planet për të ndërtuar një aleancë të madhe që do të mbrojë interesat e komunitetit ortodoks.
Është e qartë se rritja e nacionalizmit ruso -serb, ka të bëjë me identitetin e tyre të përbashkët fetar, qasjen historike dhe planet gjeopolitike për tu bashkuar siç thuhet më lartë lartë në një projekt unik me disa funksione politike, ekonomike, ushtarake e kulturore. Hapat konkretë të përfaqësuesëve kishtarë serb si përafrimi i Patriarkut Porfirije me “botën ruse” i pasqyron këto trende, pasi serbët dhe rusët po përdorin nacionalizmin dhe fenë për të kundërshtuar jo vetëm ndikimin perëndimor.
Veprimi i hapur i Kishës serbe mund të shihet si ndihmë për politikat shtetërore për të mbajtur nën kontroll Bosnjë-Hercegovinën, serbët e Kosovës dhe në përgjithësi Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Pikëpamjet dhe deklaratat e zyrtarëve ortodoksë serb në Moskë janë ndjekur me vëmendje, veçanërisht nga popullata jo-ortodokse në Ballkan. Kosova ka shprehur shqetësime për qëndrimin e Patriarkut Porfirije.
“Kreu i Kishës Ortodokse serbe, Porfirije, vetëm disa ditë pasi iu lejua vizita në Kosovë, u shfaq në Moskë përkrah presidentit rus Putin, duke bërë deklarata që cënojnë sovranitetin e Kosovës dhe nxisin përçarje në gjithë rajonin. Këto qëndrime nuk janë të reja. Kisha Ortodokse serbe ka qenë historikisht pjesë e ideologjive nacionaliste që ushqyen luftërat në hapësirën ish- jugosllave në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar. Për fat të keq, ajo trashëgimi vazhdon edhe sot, përmes deklaratave që ofendojnë fqinjët, mohojnë realitetin dhe përpiqen të destabilizojnë Ballkanin. I dënoj fuqimisht komentet përçarëse dhe nacionaliste të Porfirijes të bëra gjatë takimit me Putinin. Një retorikë e tillë është e papranueshme; ajo kërcënon stabilitetin e rajonit tonë dhe nuk ka vend në Evropën moderne. Kosova qëndron për dialog, paqe dhe një të ardhme të ndërtuar mbi të vërtetën dhe drejtësinë. BE-ja duhet të flasë hapur”.– është shprehur në X Donika Gërvalla, ministre e punëve të Jashtme të Kosovës.
Po ashtu Albin Kurti, kryeministri i Kosovës në detyrë ka shkruar në X se vizita e Porfirijes nuk ka të bëjë aspak me diplomacinë fetare.
“Kisha Ortodokse serbe ka luajtur prej kohësh një rol aktiv politik, veçanërisht përpara vizitës së ardhshme të Aleksandër Vuçiçit në maj në Moskë”. “Kjo nuk është diplomaci fetare; është një partneritet strategjik i regjimeve autoritare, që e vë rajonin në rrezik serioz”. “Megjithatë, Kosova qëndron e vendosur në parimet dhe aspiratat e saj demokratike dhe i hedh poshtë pa mëdyshje agjendat revizioniste të nxitura nga fuqitë autoritare”. Përveç reagimeve të mediave lokale serbe dhe malazeze, BE-ja ka tërhequr një vijë të saktë pa kritika ndaj Serbisë dhe Kishës Ortodokse. Intensiteti i politikës fetare midis shteteve të Ballkanit dhe Rusisë është parë si një mënyrë për të ndërhyrë në politikën e brendshme dhe të jashtme me ndikim në rritjen e pesimizmit ndaj BE-së.
Në këtë kontekst, ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucinski, në Shkup ka thënë se në të njëjtën kohë, ne kemi qëndrim të qartë për të cilin jam i bindur se korrespondon me qëndrimin e çdo qytetari maqedonas, se më në fund duhet t’i japim fund këtij procesi të bilaterializimit dhe padrejtësive, që nëse ndryshimet kushtetuese ndodhin nesër, për gjashtë muaj jemi përsëri në të njëjtën situatë. Dhe sërish do të nevojitet dialog, sërish do të nevojiten bisedime, por sërish do të bllokohet procesi i bisedimeve.
“Përkushtimi ynë ndaj integrimit evropian duhet të pushojë së maturi sipas kapacitetit të koncesioneve të çdo qeverie në këtë shtet në raport me çështjet kombëtare. Nëse dikush dëshiron të masë angazhimin tonë për integrimin evropian, atëherë ai nuk e kupton se çfarë është integrimi evropian”. Duke shpërndarë pezimizëm dhe përçarje, Rusia ka vazhduar të promovojë pandërprerë konceptin e saj të njohur “Russkiy Mir” (bota ruse) si një ideologji gjeopolitike, kulturore por edhe fetare që ka për qëllim bashkimin etnik, fetar dhe gjuhësor të rusëve kudo që jetojnë përreth ish- hapësirës së dikurshme të BRSS-së dhe në një hapësirë të gjërë duke përfshirë vëllezërit ortodoksë në Ballkan. Me këtë politikë, Rusia ka justifikuar hapur ndërhyrjet në Ukrainë, në ish -republikat sovjetike në Kakuaz dhe natyrisht në Ballkan. Kësaj politike i ka ardhur në mbështetje përveç Kishës Ortodokse ruse dhe Kisha Ortodokse serbe e cila është shquar në këto tre dekada për frymën jo tolerante kundër komuniteteve të tjera fetare dhe etnike në Ballkan. Së bashku me Kishën Ortodokse ruse, e udhëhequr nga Patriarku i njohur Kirill, Kisha Ortodokse serbe, fatkeqësisht po luan më zjarr në Ballkan.
Duke i rritur tensionet ndërfetare dhe etnike, Kisha Ortodokse serbe ka për qëllim që të forcojë ndjenjat anti-perëndimore dhe të rrisë urrejtjet e brendshme. Me Patriarkun serb Porfirije, bashkëpunimi gjeopolitik serbo-rus i siguron Serbisë një lidhje të fortë me “botën ruse”. Është e kuptueshme se dëshira për ringjallje fetare, është pasqyrë e retorikës së liderëve fetarë dhe shtetërorë si në Serbi dhe në Rusi.
Dhe këtu është pikërisht kërkesa serbe për mbështetje ruse për interesat serbëve në Ballkan e në veçanti në Kosovë dhe Bosnjë- Hercegovinë. Përshkak të rrezikut ë shpërthimit të incidenteve të izoluara si në pjesën veriore të Kosovës dhe Bosnjë- Hercegovinë, shfrytëzimi i polarzimit të brendshëm etnik dhe fetar në zonat e përmenduara, shërben si fushë për të testuar politikat serbo-ruse. Forcimi i ndjenjave anti-perëndimore, ekspanzioni gjeopolitik dhe ai kulturorë janë fushat ku Rusia dhe Serbia, jo vetëm kohët e fundit, por edhe më parë kanë bërë përpjekje për të fituar kontroll dhe avantazh kundër shteteve perëndimore dhe shteteve të Ballkanit.
Kisha Ortodokse serbe dhe Rusia kanë vazhduar ta mbajnë opinionin dhe propagandën në gatishmëri të lartë. Ndjenjat anti-perëndimore si në Serbi dhe në Rusi gjatë viteve të fundit kanë qenë të natyrshme. Parandalimi i tyre ka qenë tepër i vështirë. Në kontekstin e Kosovës, Bosnjë- Hercegovinës dhe Ukrainës, propaganda nacionaliste-fetare, ka mbajtur gjallë debatin midis “botës serbe dhe “botës ruse”, i cili tani më promovohet hapur nga Kisha Ortodokse serbe dhe aktorët tjerë. Deklaratat e priftit serb Porfirije në Moskë dhe të zyrtarëve të tjerë të Serbisë, vënë në rrezik reformat dhe nismat e tjera të BE-së të ndërmarra në Ballkan. Vënia e Kishës Ortodokse në shërbim të politikës së jashtme serbe për një “botë serbe” dhe “botë ruse” të përbashkët, do të hapë debate dhe tema të nxehta tani dhe në të ardhmen në rajonin e Ballkanit.
Vizita e fundit tregon për e rritjen e dëshirës së kishës për të marrë pjesë në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe për të ndezur ndjenjat nacionaliste. Por duke pasur parasysh rolin aktual të presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe atij të serbëve të Bosnjë-Hercegovinës Millorad Dodik si aktorë shtetërorë, rolin e kishës duhet parë si vizitë me implikime afatgjata në Ballkan.
Marrëdhëniet ruso- serbe kanë një histori të gjatë që nga shekulli i 19-të, gjatë përpjekjeve të Serbisë për të fituar pavarësinë nga Perandoria Osmane me ndihmën e Rusisë Cariste. Marrëdhëniet e para diplomatike u vendosën në vitin 1816. Kuse në vitin 1838, Princi i Serbisë, Millosh Obrenoviqi, e priti për herë të parë në mënyrë zyrtare konzullin rus Gerasim Veshchenko (Gerasim Veshçenko). Raportet e mira diplomatike, ushtarake dhe fetare në mes serbëve dhe rusëve vazhduan në disa drejtime të tjera pas Luftës Civile në Rusi, (1917-22), ku pjestarë të Ushtrisë së Bardhë, përfshirë këtu klerikë, u vendosën në Serbi. Serbia në atë kohë ju ofroi priftërinjve rusë strehim kanonik dhe ndihma të tjera. Bashkëpunimi në mes dy kishave vazhdoi edhe para Luftës së Dytë Botërore, gjatë Luftës së Ftohtë dhe më pas me intensitet të lartë në çështjen e Kosovës për të dobësuar Perëndimin e deri më sot me përpjekjet për një botë të përbashkët gjeopolitike, ekonomike, fetare e kulturore.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre