Këto janë profesionet që paguhen më shumë në RMV
Paga më e lartë neto e paguar në shtator të këtij viti ka qenë në sektorin “Programim kompjuterik, veprimtari konsulente dhe aktivitete të lidhura me to dhe ka pasur vlerën e 92.568 denarë, tregojnë të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës. Kjo është dhe paga më e lartë mesatare neto, ku bëjnë pjesë programerët, njofton Portalb.mk.
Në sektorin e industrisë përpunuese më së miri kuoton sektori i prodhimtarisë të prodhimeve bazike farmaceutike dhe preparatet farmaceutike, me pagë mesatare prej 59.772 denarë në shtator të këtij viti.
Sektori i tretë është furnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe klimatizim, ku nuk ka sektorë të veçantë, dhe paga mesatare në shtator për të punësuarit në këtë veprimtari ka qenë 52.916 denarë.
Në RMV, paga mesatare neto e paguar për të punësuarit, në shtator të vitit 2023 ka qenë 37.876 denarë.
Krahasuar me muajin paraprak, rritje të pagave ka pasur në sektorët: Furnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe klimatizim (11,8%), Arsimi (10,9%), Administrata publike dhe mbrojtja; sigurimi i obliguar social (9,1%).