Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare, Mike Waltz, u largua nga posti

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Mike Waltz ka lënë postin e tij, sipas CBS News. Ai është anëtari i parë i ekipit të lartë udhëheqës të Trump që largohet në mandatin e dytë të presidentit, raporton Euronews.

Pozicioni i Waltz ishte bërë i pasigurt pasi u zbulua se ai kishte shtuar aksidentalisht një gazetar nga revista The Atlantic në një grup mesazhesh ku diskutoheshin planet për sulme ushtarake ndaj rebelëve Houthi në Jemen.

Ekipi i Trump më parë minimizoi rreziqet e sigurisë dhe tha se asnjë material i klasifikuar nuk u nda në bisedë.

Largimi i tij nga posti vjen në të njëjtën javë që Trump festoi 100 ditët e tij të para në detyrë. Zëvendësi i tij, Alex Wong, gjithashtu do të largohet nga posti i tij, thonë raportet.

Kush ishte Michael Waltz?

Waltz ishte këshilltari i sigurisë kombëtare i Donald Trump. Ai ishte ndër emërimet e para të Trump pas zgjedhjes së tij.

Përpara rolit në Shtëpinë e Bardhë, ai ishte kongresmen nga distrikti i gjashtë kongresional i Floridës nga viti 2019 deri sa dha dorëheqjen në janar për të marrë përsipër detyrën e re me Trump.

Në Kongres, ai shërbeu në komitetet e Inteligjencës, Shërbimeve të Armatosura dhe Punëve të Jashtme.

Ai më parë ishte oficer në Ushtrinë dhe Gardën Kombëtare të SHBA-së, duke u pensionuar pas 27 vitesh me gradën kolonel.