Këshilli Gjyqësor me komision që do të hetojë vendimet e Penales në rastin Ramadani, VMRO-ja fajëson gjyqtarët, LSDM-ja Toshkovskin

Rasti i ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Blerim Ramadani, i arratisur nga arresti shtëpiak, do të hetohet nga Komisioni i posaçëm që do të duhet të vërtetojë gjendjen faktike në lidhje me vendimet të cilat janë sjellë nga Gjykata Themelore Penale Shkup para arratisjes së tij. Vendimin për themelimin e një komisioni të tillë e ka marrë Këshilli Gjyqësor në seancën e sotme. Kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva thotë se nuk janë njoftuar zyrtarisht për rastin, por po reagojnë pas zërave të ngritur në opinion, transmeton Portalb.mk.

“Unë e konsideroj të nevojshme si person i parë i Këshillit Gjyqësor që të formohet një komision dhe sa më shpejt të konstatohet gjendja faktike lidhur me këtë dhe të dalim me të dhëna konkrete para opinionit. A ka ndodhur diçka, a është Gjykata fajtore apo jo, të mos paragjykojmë. Reagimi i Këshillit Gjyqësor në këtë moment, sipas kompetencës së tij, është të hetojë situatën, të mos paragjykojë asgjë”, tha kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva, në seancën e sotme.

Komisioni që do të duhet të shqyrtojë vendimet e Gjykatës Themelore Penale Shkup lidhur me paraburgimin e Ramadanit do të përbëhet nga gjyqtari Aleksandar Kambovski nga Gjykata Penale, nënkryetari i Këshillit Gjyqësor Hanif Zendeli dhe anëtarja e Këshillit Gjyqësor Pavlina Cërvenkovska.

“Pas konstatimit të situatës, Komisioni është i obliguar që të përgatisë një raport që do ta dorëzojë në Këshillin Gjyqësor dhe më pas Këshilli Gjyqësor do të diskutojë dhe vendosë”, ka shtuar Dameva.

Nga ana tjetër, arratisja e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Blerim Ramadani, është një nga temat kryesore në kumtesat  partiake të VMRO-DPMNE-së në pushtet dhe LSDM-së opozitare. Vlerësimi i qeverisë është se Ramadani është liruar në arrest shtëpiak, prej nga është arratisur, nga gjyqtarët që, siç thonë ata, me vite të tëra i shërbejnë dhe mbrojnë krimin e LSDM-së dhe BDI-së.

“Kujtojmë se ky nuk është rasti i parë që persona të tillë lirohen. Në vitin 2019 u lirua edhe kosovari Tomor Morina, i cili në Kosovë u mirëprit me muzikë, nga të njëjtët gjyqtarë dhe ekipi që kontrollohet nga LSDM-ja dhe BDI-ja. LSDM dhe BDI janë kancer dhe burim i krimit në këtë shoqëri dhe përgjegjësi do të ketë për të gjithë ata që pengojnë drejtësinë”, tha VMRO-DPMNE.

Partia në pushtet pyeti se pse Këshilli Gjyqësor nuk ka reaguar ndaj vendimit të gjyqtarëve për ndryshimin e masave të sigurisë për Ramadanin – organ për të cilin qeveria insiston që të shpërndahet.

LSDM-ja opozitare, nga ana tjetër, pretendimin se fajin për arratisjen e Blerim Ramadanit e ka Gjyqësia e konsideron si spin nga pushteti. Ata fajësojnë Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) dhe ministrin Pançe Toshkovski, të cilët akuzojnë se qëllimisht e liruan Ramadanin.

“A ka provë më të madhe se ai është liruar qëllimisht nga MPB-ja dhe Toshkovski, se vetëm një ditë pas arratisjes është rehat në shtëpi dhe nga Kosova ende po vijnë mesazhe të qarta se ai është atje? Kë po përpiqen të mashtrojnë institucionet se ky nuk është një skenar i plotë i realizuar nga Ministria e Brendshme? Kush do të përgjigjet për arratisjen e një personi të kërkuar me fletarrest ndërkombëtar?”, thonë nga LSDM.

Partia vlerëson se Toshkovski është ministri më i paaftë i Punëve të Brendshme dhe se duhet menjëherë të largohet nga posti. Në mandatin e tij gjashtëmujor, sipas LSDM-së, siguria është përkeqësuar në çdo segment.

Blerim Ramadani është arratisur nga arresti shtëpiak në Maqedoni.

Blerim Ramadani u ndalua më 17 korrik, në pikëkalimin kufitar në Jazhincë bazuar në një fletëarrest lëshuar nga Gjykata e Beogradit përmes Interpol Serbia. Ministri serb i policisë, Ivica Daçiq, më 25 korrik, kërkoi nga autoritetet e Shkupit ekstradimin e Ramadanit në Serbi. Çështja e ekstradimit të tij u ngrit edhe gjatë vizitës së ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në Shkup më 31 korrik. Sveçlj tha se Shkupi duhet të vendosë në mënyrë të pavarur, duke akuzuar Serbinë se tenton të prishë marrëdhëniet midis vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Më 9 gusht, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës njoftoi se Gjykata Themelore Penale në Shkup ka marrë vendim për mosekstradimin e shtetasit të Kosovës, Blerim Ramadani, pasi më 1 gusht ishte zhvendosur që ai të kalon nga paraburgimi në arrest shtëpiak.

Ramadani, është shtetasi i tretë i Kosovës si ish-ushtar i UÇK-së, i arrestuar në Maqedoninë e Veriut me urdhër të Serbisë. Gafur Dugoli dhe Tomor Morina janë arrestuar edhe në të kaluarën, por me vendim gjykate janë liruar.