Taravari për Ligjin e “branitellave”: Nuk është koha për të diskutuar tema të tilla
Nuk e di pse po dramatizohet Ligji i “branitellave”. Kjo është hera e shtatë që ngrihet dhe nuk mendoj se tani është koha për të diskutuar tema të tilla. Mendoj se ajo pikë tani për tani nuk do të trajtohet dhe as nuk do të ndihmojë, thotë anëtari i koalicionit VLEN dhe ministër i Shëndetësisë, Arben Taravari për ligjin e propozuar nga LSDM-ja, transmeton Portalb.mk.
Sipas Taravarit, partitë opozitare, veçanërisht ato që janë pjesë e “Frontit Evropian”, e kanë votuar gjashtë herë një ligj të tillë.
“Nuk është momenti për ta diskutuar”, është decid Taravari.
Projektligji i bllokuar në komision ka hasur në kundërshtime të forta nga partitë shqiptare, të cilat theksojnë se nuk mund të ketë zgjidhje për “branitellat”, pa zgjidhje për ish-ushtarët e UÇK-së.
Projektligji parasheh kompensim të njëhershëm për dëmin jomaterial prej 80.000 euro në kundërvlerë në denarë që t’i paguhet familjes së pjesëtarit të rënë të ushtrisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe kjo dispozitë vlen për familjet e të gjithë ushtarëve dhe policëve që kanë humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës zyrtare në periudhën nga viti 1991 deri në vitin 2024.
Një përpjekje për të krijuar tensione dhe intolerancë ndëretnike, jo ndihmë reale për “branitellat” dhe familjet e tyre. Kështu e sheh kryeministri Hristijan Mickoski lëvizjen e socialdemokratëve në Kuvend për paraqitjen e projektligjit për “branitellat”.
Lideri i socialdemokratëve, Venko Filipçe, e mohon këtë. Ai thotë se Ligji për “branitellat” synon t’u përgjigjet nevojave reale të njerëzve, e jo të krijojë tensione. Filipçe është i gatshëm, siç tha ai, të diskutojë për të gjitha aspektet e propozim-zgjidhjes dhe mohon që grupi parlamentar i LSDM-së të ketë dalë nga salla kur është dashur të votohet rendi i ditës.
Ndryshe, Ligji për “branitellat” është një ligj i cili ka krijuar debate ndërmjet përfaqësuesve shqiptar dhe maqedonas në Qeverinë dhe Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, pasi të drejtat që i takojnë “branitellave” nuk i takojnë edhe veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
Me këtë ligj përfshihen forcat e sigurisë nga viti 1991 deri në vitin 2024, ashtu që vlera e ndihmës pritet të jetë nga 1.2 milionë denarë për personat me 20 % invaliditet, deri 5 milionë denarë për personat me 100 % invaliditet ushtarak.