Petrovska dhe homologu i saj slloven, Sharec nënshkruan Marrëveshjen e re për Bashkëpunim në Mbrojtje

Ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska dhe ministri slloven i Mbrojtjes Marjan Sharec nënshkruan sot në Ministrinë e Mbrojtjes Marrëveshjen për Bashkëpunim në Mbrojtje ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Sllovenisë. Ministrat Petrovska dhe Sharec patën një takim tet-a-tet dhe një takim dypalësh me delegacionet nga të dyja vendet, ndërsa më pas u mbajt një konferencë e përbashkët për media në Klubin e Deputetëve, transmeton Portalb.mk.

„Kemi kënaqësinë të nënshkruajmë Marrëveshjen e re të Bashkëpunimit të Mbrojtjes ndërmjet dy qeverive, e cila padyshim do të kontribuojë në ndërtimin e miqësisë dhe bashkëpunimit tonë. Fushat në të cilat do të bashkëpunojmë janë të shumta, por më e rëndësishmja është se nëpërmjet zbatimit të kësaj Marrëveshjeje do të kontribuojmë në forcimin e paqes, besimit, stabilitetit dhe prosperitetit në vendet e rajonit, por edhe në të gjithë zonën euroatlantike”, tha ministrja Petrovska në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin slloven të mbrojtjes.

Ministrja theksoi se të dy vendet kontribuojnë bashkërisht në forcat shumëkombëshe në Letoni, të cilat tregojnë qartë se nuk devijojnë nga qëllimi i përbashkët, që është një aleancë e sigurt dhe qytetarë të sigurtë.

Petrovska falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme sllovene në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe për ndihmën për ndërtimin e një ure lidhëse të përbashkët evropiane.

„Historia maqedonase në NATO është e suksesshme, por mbetet edhe një synim strategjik që duhet ta bëjmë realitet. Ne jemi mirënjohës për mbështetjen tuaj të pamasë në rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së dhe që na ndihmoni të ndërtojmë këtë urë të përbashkët evropiane”, tha Petrovska.

Ministri Sharec tha se është jashtëzakonisht e rëndësishme që të vazhdojmë bashkëpunimin në operacionet dhe misionet ndërkombëtare dhe të zbulojmë fusha të reja në këtë fushë.

Ai e quajti një “histori suksesi” kontributin e përbashkët për forcën shumëkombëshe të NATO-s në Letoni.

„Së bashku ne japim një kontribut të dukshëm në mbrojtjen dhe parandalimin aleat, duke rritur njëkohësisht gatishmërinë dhe lidhjen e forcave tona të armatosura, duke demonstruar një dimension rajonal të bashkëpunimit. Sllovenia ka vendosur të vazhdojë praninë e saj ushtarake në Letoni dhe ne e vlerësojmë shumë kontributin tuaj dhe gatishmërinë tuaj për të vazhduar me sukses të bashkëpunoni me ne në këtë angazhim”, përfundoi Sharec.

Ministrin i Mbrojtjes së Republikës së Sllovenisë, u prit në takim edhe nga presidenti Stevo Pendarovski.

Në takim u konfirmua përkushtimi i përbashkët për intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes, bashkëpunimit në kuadër të misioneve të NATO-s dhe u shkëmbyen informacione për zhvillimet aktuale dhe sfidat e sigurisë në rajonin tonë. Në bisedime u theksua se të dy vendet do të vazhdojnë të japin një kontribut vetëmohues në nismat rajonale në interes të zhvillimit të mëtejshëm të rajonit dhe të ardhmes së përbashkët në Bashkimin Evropian.

Presidenti Pendarovski e përshëndeti nënshkrimin e Marrëveshjes për bashkëpunim në mbrojtje ndërmjet dy vendeve, duke shprehur pritjen se kjo do të thellojë bashkëpunimin mes dy vendeve dhe do të hapë një kapitull të ri të iniciativave dhe projekteve.

Në takim, presidenti Pendarovski shprehu keqardhjen për humbjet dhe dëmet e pësuar nga vërshimet e mëdha që goditën Slloveninë, duke shtuar se edhe tani, si gjatë zjarreve në pyjet në Maqedoninë e Veriut, të dy vendet edhe një herë e dëshmuan partneritetin dhe solidaritetin e tyre të ndërsjellë. Dy bashkëbiseduesit theksuan gatishmërinë për ndihmë dhe mbështetje të mëtejshme reciproke në përballjen me fatkeqësitë natyrore dhe sfidat klimatike, si dhe për reagim të përbashkët në raste emergjente.

Presidenti Pendarovski falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme sllovene për anëtarësimin e vendit tonë në BE, si dhe për mbështetjen e përgjithshme nga Sllovenia në drejtim të realizimit të proceseve reformuese dhe demokratizimit të vendit.

Kujtojmë se së fundmi, ministret e Mbrojtjes të Maqedonisë së Veriut, Slavjanka Petrovska dhe të Portugalisë, Maria Helena Carreiras, nënshkruan Marrëveshjen e parë për bashkëpunim dypalësh të mbrojtjes ndërmjet dy vendeve, e cila do të intensifikojë bashkëpunimin maqedono-portugez në mbrojtje.

Fushat që mbulon Marrëveshja, si intensifikimi i konsultimeve në fushën e politikës së sigurisë, operacioneve të paqes, trajnimeve dhe edukimit të përbashkët, si dhe aktiviteteve për mbrojtjen e mjedisit. Çështjet gjinore në mbrojtje dhe siguri janë gjithashtu pjesë e marrëveshjes.