Këshilli Gjyqësor do të shqyrtojë aktgjykimin e dhënë nga Elvedin Ferati për vdekjen e Teodora Ristovskës
Këshilli Gjyqësor do të shqyrtojë aktgjykimin e dhënë nga Elvedin Ferati për shoferin Mensur Pajaziti, ku ky i fundit në gusht të vitit 2022, në një vendkalim për këmbësorë në Tetovë, e kishte shkelur 22-vjeçaren Teodora Ristovska. Ky vendim vjen pas reagimeve të ashpra të familjes së Teodorës dhe publikut për dënimin me burg prej dy vitesh që u shqiptua në rigjykimin në Gjykatën Themelore në Tetovë, transmeton Portalb.mk.
Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, konfirmoi se kanë kërkuar rishikim të rastit dhe theksoi se nëse konstatohen mangësi në procedurë do të reagojnë. Kambovski tha se Këshilli Gjyqësor do t’i shqyrtojë të gjitha rastet kur ka dyshime për parregullsi në aktgjykimet gjyqësore.
Reagimet publike ishin të forta, ndërsa kryeministri Hristijan Mickoski publikisht kërkoi nga Këshilli Gjyqësor shqyrtimin e punës së gjyqtarit që vendosi ta dënojë shoferin me dy vjet burg, duke theksuar se një vendim i tillë paraqet “dështim të sistemit”.
Kritikave iu bashkua edhe ministri i Drejtësisë Igor Filkov, i cili deklaroi se reagimi i publikut është tregues i rëndësishëm i integritetit të dobët të sistemit gjyqësor.
Gjykatësi Elvedin Ferati ka qenë i komentuar në opinion pasi u konstatua se ai i ka korrigjuar notat e tij me shkarravitje në Universitetin e Tetovës. Rasti u zbulua nga Komisioni Kundër Korrupsionit më 27 dhjetor 2023, si pjesë e një auditimi të madh që numëroi fakultetet dhe studentët e diplomuar të cilëve iu dhanë diploma me një numër të pamjaftueshëm kreditesh. Ndërsa më pas u hap edhe hetim.
- LEXO: Është hapur hetim paraprak për gjyqtarin Elvedin Ferati, ka korrigjuar notat në Universitetin e Tetovës
- LEXO: Gjyqtari Elvedin Ferati nga Gjykata Themelore Tetovë i ka korrigjuar notat në Universitetin e Tetovës, konfirmoi Antikorrupsioni
Më 7 prill, Gjykata Themelore e Tetovës i ka shqiptuar dy vite burg Mensur Pajazitit, për aksidentimin e Teodora Ristovskën në një vendkalim për këmbësorë, e cila më pas ndërroi jetë në spital.
Ky rast ishte në rigjykim.
Paraprakisht Gjykata Themelore e Tetovës Pajazitin e dënoi me tre vjet e gjashtë muaj burg.
Më pas, Gjykata e Apelit ia zvogëloi dënimin në dy vjet.
Kurse Gjykata Supreme i anuloi të dy aktgjykimet dhe e ktheu gjykimin në Gjykatën Themelore të Tetovës.
Teodora u përplas në një vendkalim për këmbësorë më 15 gusht 2022 në Bulevardin “Video Smilevski Bato”, i njohur ndryshe si Rruga Industriale. Ajo ndërroi jetë pak ditë më pas në spital.