“Makedonsko Sello” do të rihapet në qershor, kompania e njohur fituese e koncesionit do të paguajë qira mujore 3.500 euro
Kompleksi “Makedonsko Selo” është planifikuar të hapet në qershor dhe koncesionar i ri është kompania “La Terraza”. Ky kompleks nuk funksionon prej shtatë vitesh. Në thirrjen publike të shpallur nga Shërbimi i Çështjeve të Përgjithshme dhe të Përbashkët (SHÇPP) aplikuan dy kompani dhe oferta nga “La Terraza” ishte më e favorshme. Sipas marrëveshjes, gjithçka e investuar do të mbetet pronë e shtetit. Qiraja mujore është rreth 3500 euro. Lajmin për rihapjen e “Makedonsko Sello” e ka konfirmuar edhe drejtori i SHÇPP-së, Ivica Tomovski, transmeton Portalb.mk.
“Pas shtatë vitesh neglizhencë, “Makedonsko Selo” do të kthehet sërish në jetë. Sot firmosa vendimin për përzgjedhjen e ofertuesit më të favorshëm për kompleksin “Makedonsko Selo”. Pas vitesh mbylljeje dhe shkatërrimi të gjithçkaje që përfaqëson trashëgiminë kulturore, identitetin dhe historinë – më në fund po fillojmë një kapitull të ri. Me këtë vendim po hedhim një hap serioz drejt kthimit të jetës në një hapësirë unike që do të jetë e hapur për të gjithë qytetarët, turistët dhe dashamirët e traditës. “Makedonsko Selo” do të bëhet edhe një herë qendër e gjallë e kulturës, arkitekturës autentike dhe traditës maqedonase. Është koha për rinovim. Është koha për krenari”, ka shkruar Tomovski në Facebook.
SHÇPP njoftoi se Tomovski ka nënshkruar vendimin për koncesionarin e kompleksit, i cili, siç thuhet në njoftim, është përzgjedhur në mënyrë ligjore dhe transparente, përmes tenderit publik elektronik, përmes sistemit të menaxhuar dhe të cilin e operon Ministria e Financave. Koncesionari është i detyruar të ndërmarrë të gjitha aktivitetet e nevojshme për përgatitjen e kompleksit për funksionim duke filluar nga 1 qershori, shtoi SHÇPP.
“Pas viteve të mbylljes dhe shkatërrimit të gjithçkaje që përfaqëson trashëgiminë kulturore, identitetin dhe historinë – më në fund po fillojmë një kapitull të ri. Kompleksi Makedonsko Selo” nuk funksionon për gati shtatë vjet, pasi koncesionarët e mëparshëm u tërhoqën për shkak të humbjeve financiare, dhe ndërkohë, SHÇPP kishte paguar rregullisht kostot për sigurinë. Me zgjedhjen e koncesionerit, po hedhim një hap serioz drejt rikthimit të jetës në një hapësirë unike që do të jetë e hapur për të gjithë qytetarët, turistët dhe dashamirët e traditës”, thuhet në njoftimin e SHÇPP-së.
Kompleksi “Makedonsko Selo”, i vendosur në shpatet e Vodnos, afër fshatit Nerez, përbëhet nga 12 shtëpi autentike, me dhoma ku prezantohen zejtaria maqedonase, pjesët përdoren si dhoma hoteli, e disa kanë edhe seksion restorantesh.
Me rihapjen e kompleksit do të krijohen kushte për nxitjen e zhvillimit të turizmit dhe fuqizimin e ekonomisë lokale, krijimin e vendeve të reja të punës, si dhe përmirësimin e kapaciteteve turistike në Shkup, që do të ndikojë në rritjen e numrit të turistëve jo vetëm në Shkup, por edhe në vend në përgjithësi, thekson SHÇPP.