Katër shtetas të RMV-së u evakuuan dje nga Izraeli

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme informon se dje, katër shtetas të Maqedonisë së Veriut, përkatësisht një familje (nënë dhe tre fëmijë), u evakuuan me fluturim nga Tel Avivi për në Athinë, transmeton Portalb.mk.

Që nga sot, numri i përgjithshëm i shtetasve të Maqedonisë të evakuuar është 12 persona – tetë nëpërmjet Egjiptit me aeroplan qeveritar dhe katër nëpërmjet Athinës. Shumica e të evakuuarve janë fëmijë – shtatë nga gjithsej 12 persona.

Sipas informacionit nga misioni diplomatik dhe konsullor në Tel Aviv, dhe duke marrë parasysh armëpushimin në fuqi që nga 24 qershori dhe stabilizimin e situatës së sigurisë, qytetarët që fillimisht ishin përgatitur për evakuim emergjent aktualisht po e shtyjnë largimin e tyre. Kufizimet që lidhen me konfliktin me Iranin janë hequr dhe shkollat, institucionet dhe dyqanet janë duke funksionuar përsëri.

“Ministria, nëpërmjet Ambasadës në Tel Aviv, mbetet në komunikim të rregullt me ​​të gjithë qytetarët që kanë shprehur interes për t’u larguar nga Izraeli, nëse lind përsëri nevoja, dhe do të vazhdojë të informojë publikun në kohën e duhur”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.

Rekomandimi për të shmangur udhëtimet në vendet e Lindjes së Mesme mbetet në fuqi.

Mëngjesin e 13 qershorit, Izraeli ka ndërmarrë sulme ajrore në të gjithë Iranin, duke deklaruar se kanë shënjestruar “zemrën” e programit bërthamor iranian.

Sipas mediave shtetërore iraniane, sulmet kanë shkaktuar vrasjen e disa komandantëve dhe shkencëtarëve bërthamor iranian.

Irani u është kundërpërgjigjur këtyre sulmeve, duke lëshuar afër 100 raketa dhe është zotuar se do të vazhdojë sulmet hakmarrëse.

Sulmet, prej atëherë kanë vazhduar nga të dyja palët.

Në këtë konflikt u përfshi edhe SHBA, e cila më 21 qershor goditi tre objekte bërthamore iraniane, duke rritur frikën për një luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme. Megjithatë tani vendet kanë shpallur armpushim.